Izraelit i vritet një kapiten në përballje me një luftëtar të Hezbollahut
Një oficer i ushtrisë izraelite u vra në një përleshje me një luftëtar të Hezbollahut në pjesën jugore të Libanit, njoftuan Forcat Mbrojtëse të Izraelit, pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Izraelit e Libanit për përfundimin e konfliktit.
Ushtari i vrarë u identifikua si Kapiten David Hazutt, 21 vjeç, pjesë Batalionit të 12-të të Brigadës Golani. Ai është ushtari i parë izraelit që vritet pas nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Izraelit, Libanit dhe Shteteve të Bashkuara të premten me qëllim të hapjes së rrugës për një pakt më të gjerë të paqes mes dy vendeve të Lindjes së Mesme, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas një hetimi të incidentit nga ushtria izraelite, rreth orës 2 të mëngjesit, ushtarët e Brigadës Golani hasën në një operativ të Hezbollahut, kur hynë në një ndërtesë në fshatin Deir Siryan.
I armatosuri hapi zjarr në drejtim të ushtarëve, duke e vrarë Hazutt-in dhe duke lënduar lehtë një ushtarë tjetër, para se të arratisej. Ushtarët izraelitë filluan që ta kërkonin atë dhe goditën pika të Hezbollahut në atë zonë, shtoi ushtria.
Pas kërkimeve “të gjera” në zonë, trupat izraelite e lokalizuan të armatosurin në një ndërtesë aty afër dhe e vranë, tha ushtria izraelite në një përditësim të dielën pasdite.
Ushtria tha se ushtari i plagosur lehtë u dërgua në një spital dhe familja e tij u njoftua.
Mediat libaneze të dielën raportuan për një sulm ajror izraelit në pjesën jugore të Libanit.