OKB-ja raporton për 28 të vrarë nga sulmet ajrore pakistaneze në Afganistan
Të paktën 28 civilë u vranë dhe 49 të tjerë u lënduan nga sulmet ajrore të kryera nga Pakistani në zonën kufitare me Afganistanin, tha të hënën Misioni i Asistencës i Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA).
Forcat pakistaneze të sigurisë thanë se kishin vrarë të paktën 29 militantë përmes operacioneve tokësore e ajrore përgjatë kufirit me Afganistanin, ndërsa talibanët afganë thanë se të paktën 38 civilë ishin vrarë nga sulmet ajrore, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
UNAMA tha se numri i të vrarëve mund të rritet, derisa spitalet vazhdojnë t’i trajtojnë të lënduarit.
Sulmi ajror i së dielës ishte i dyti nga Pakistani ndaj caqeve në Afganistan për të cilat tha se u përkisnin militantëve dhe që e rrezikuan përkeqësimin e një konflikti të kohëpaskohshëm mes ish-aleatëve, të cilët e zhvilluan betejën më të ashpër në disa vjet në shkurt.
Sulmet ajrore pakistaneze ndaj tri caqeve në provincat afgane, Paktia, Paktika dhe Kunar, lanë të vrarë 25 militantë dhe shkatërruan “sasi të mëdha” të armëve e municionit, tha të hënën në rrjetin X ministri i Informimit, Attaullah Tarar.