KGJK-ja refuzon kthimin e gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje, Haxhiu e përshëndet propozimin - NACIONALE

KGJK-ja refuzon kthimin e gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje, Haxhiu e përshëndet propozimin

1 orë më parë

nga NACIONALE

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin në sistemin gjyqësor të gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të Kosovës.

Më 9 vota për, një kundër dhe një abstenim, anëtarët e KGJK-së në mbledhjen e sotme kanë refuzuar kthimin e gjyqtarëve serbë në punë.

Propozimin e KGJK-së për largimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që dhanë dorëheqje në vitin 2022 e ka përshëndetur deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, e cila ende e ushtron pozitën e detyrës së presidentes.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se KGJK-ja ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.

Përshëndes propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022. Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sapo Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i dërgojë propozimet, do të ndërrmarë veprime për lirim nga detyra të tyre”, ka shkruar ajo.

Emrat e gjyqtarëve serb të dorëhequr në vitin 2022 do ti dorëzohen U.D. presidentes Albulena Haxhiu për lirim nga detyra.

Gjatë diskutimit për këtë çështje, anëtarët e KGJK-së kanë shprehur qëndrime të ndryshme.

Anëtari i KGJK-së, Artan Abazi, i cili e ka kundërshtuar kthimin e gjyqtarëve në punë, ka thënë se dorëheqjet e tyre kanë qenë të parevokueshme.

Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme, kjo është për me pasur parasysh. Duke pasur parasysh këtë gjendje unë konsideroj që gjyqtarët edhe stafi administrativ duke pasur parasysh që 4 vite nuk janë, ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën e gjyqtarit dhe pozitat administrative. Konsideroj se absolutisht nuk janë të aftë të ushtrojnë pozitën sepse kanë ndryshuar ligji, praktikat, në aspektin profesional së pari”, ka thënë ai.

Edhe anëtari Bashkim Hyseni e ka kundërshtuar kthimin e tyre në sistemin gjyqësor.

Në adresimin e tij, ai ka thënë se zgjidhje më emirë do të ishte që këta gjyqtarë të lirohen nga detyra dhe më pas të hapet një konkurs i ri.

Mendoj se zgjidhja do të duhej që këta zyrtarë të lirohen nga detyra dhe të hapet konkursi. Nëse ne do të pranojmë këtë pas 4 vitesh do të krijohet një precedent i rrezikshëm. Nëse partnerët tanë kërkojnë që të shkelet kushtetuta, mendoj që është jo korrekte sepse nuk do ta bënin ata në vendin e tyre. Mandati i gjyqtarit nuk fillon nga emërimi por nga betimi, dorëheqja nuk ka qenë individuale, por ka qenë e orkestruar dhe kolektive”, ka thënë ai.

Kurse, anëtarja e KGJK-së, Ivana Milenkoviq, ka mbështetur kthimin e gjyqtarëve në punë.

Ajo ka vlerësuar se me moskthimin e gjyqtarëve në punë do të krijohej vakum institucional.

Me pranimin e tërheqjes së dorëheqjeve, ne nuk po u bëjmë koncesione gjyqtarëve, por po përmbushim garancinë kushtetuese ndaj qytetarëve. Heqja e mandatit të gjyqtarëve dhe menaxhimi i statusit të dorëheqjeve janë në kompetencën ekskluzive të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Me refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve, do të krijonim një vakum juridik dhe institucional, i cili, sipas ligjit në fuqi për gjykatat, është i pamundur të plotësohet shpejt pa cenuar vetë rrjedhën e kornizës ligjore”, ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme