As Kushtetutë, as Ligj për Qeveri, as Aktgjykim të Supremes: Kurti me kabinetin deputeto-qeveritar vazhdon si zakonisht me vendime
Albin Kurti i Vetëvendosjes, përtej Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Qeveri që e ka shkruar e miratuar vetë, ka vazhduar të mos e njohë as Aktgjykimin e Gjykatës Supreme që ia ndalon ushtrimin e dy pushteteve: atë të deputetit dhe kryeministrit, bashkë me kabinetin e tij deputeto-qeveritar.
Më 25 qershor të vitit të kaluar, Gjykata Supreme kishte nxjerrë vendimin që ushtrimi i njëkohshëm i dy pushteve "është i ndaluar," kur ia kishte rrëzuar deputetit Hekuran Murati vendimin në cilësi të ministrit në detyrë të Financave, për një Udhëzim Administrativ për arkat fiskale.
Me atë vendim, edhe vetë Zyra e Bashkimit Evropian nuk pranonte t'i shkonte në zyrë kryeministrit Albin Kurti, duke iu referuar vendimit të Supremes që ia rrëzonte atë autoritet prej shefit të ekzekutivit.
Kryetari i Gjykatës Supreme ishte deklaruar se ai vendim "nuk ishte aspak aksidentral, por i menduar mirë," sepse Kushtetuta e përcakton pamundësinë e ushtrimit të dy pushteteve në Nenin 70 dhe 72. Vetëvendosje e kishte quajtur vendimin "primitiv" dhe "absurd."
Një vit më vonë, gjendja është kthyer po aty. LDK kishte dërguar kallëzim penal për gjendjen antiligjore dhe antikushtetuese në Prokurori Speciale, ndërsa PDK-ja me Aleancën po ashtu të mërkurën.
Megjithatë, Vetëvendosja mbajti mbledhjen e 33-të elektronike qeveritare, ku mori disa vendime edhe me implikime financiare, më 26 gusht 2026.
Ndër vendimet: caktimi i kompensimit mujor për Bordin e KRE-ESCorp; dhënia në shfrytëzim e një parcele prej 999 m² në Prizren për Ministrinë e Drejtësisë.
Gjithashtu u miratua kërkesa e Shërbimit Spitalor për transfer prej 4,333,900€ për barna esenciale, dhe kërkesa e Punëve të Brendshme prej 1,000,000€ për shpenzime operative.
Komuna e Podujevës mori 300,000€ për obligime kontraktuale, ndërsa Qeveria nominoi tre përfaqësues në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar të mërkurën kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Albin Kurtit dhe anëtarëve të Qeverisë në dorëheqje.
Kallëzimi lidhet me ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve ekzekutive dhe mandateve parlamentare, nga anëtarët e kabinetit të certifikuar dhe betuar si deputetë.
Sipas PDK-së, kjo përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, ndërsa Prokuroria kërkohet të hetojë përgjegjësinë penale të zyrtarëve.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndërhyrja e Prokurorisë është e nevojshme për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe dispozitave kushtetuese.
"Po ashtu në kallëzim kemi përmendur edhe shpërdorimin e detyrës zyrtare, sepse duke mbajtë funksione të paligjshme janë shpërndarë mijëra euro," tha Gruda.
Sipas kallëzimit, kabineti deputeto-ministror ka vazhduar ushtrimin e funksioneve qeveritare që nga 6 korriku, ndonëse ndërkohë kishin marrë mandatin e deputetit.
Dokumenti i PDK-së përmend mbledhjen e 32-të të Qeverisë, mbajtur më 12 gusht, ku u miratuan 24 vendime, përfshirë ndarje financiare dhe emërime drejtuese.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme i 7 korrikut 2025 kishte trajtuar pikërisht konfliktin mes mandatit parlamentar dhe funksionit ministror.
"Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar," thuhet në aktgjykim.
Instituti Kosovar për Demokraci e lidh këtë precedent me kabinetin aktual, ku 19 nga 21 anëtarët e Qeverisë në detyrë janë deputetë të certifikuar.
"Çdo vendim i marrë prej tyre, qoftë si ministra veçmas apo kolektivisht si anëtarë të Qeverisë, është marrë pa autoritet ligjor," deklaroi Eugen Cakolli.
Një vit më parë, LDK kishte dorezuar kallëzime penale për vendimet e marra nga anëtarët e Qeverisë pasi ishin certifikuar si deputetë.
"Nga data 27 mars, qytetarë të thjeshtë kanë marrë vendime në ndërtesat e Qeverisë së Republikës së Kosovës," kishte deklaruar Hykmete Bajrami.
Sot, një vit më pas, PDK-ja e ka kthyer të njëjtën çështje në kallëzim penal, ndërsa Qeveria vazhdon të marrë vendime.
Për opozitën, përgjigjja është se Kurti kërkon vazhdimin e pushtetit me çdo kusht, edhe përtej rendit ligjor dhe kushtetues.
"Çdo ditë vonesë po e kthen shkeljen e Kushtetutës në metodë të qeverisjes, dhe paligjshmërinë në mjet për vazhdimin e pushtetit," tha Cakolli.