Dokumentet sekrete amerikane: Egjipti planifikoi që ta furnizonte fshehtas Rusinë me raketa e barut - NACIONALE

Dokumentet sekrete amerikane: Egjipti planifikoi që ta furnizonte fshehtas Rusinë me raketa e barut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur amerikane, “The Washington Post”, ka raportuar se dokumentet e rrjedhura të inteligjencës së ShBA-së tregojnë që Egjipti ishte duke planifikuar që ta furnizonte fshehtas Rusinë me raketa dhe municion.

E përditshmja raporton se në një dokument të datës 17 shkurt pretendohet se përmblidhen bisedat mes presidentit të Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë egjiptianë. Në dokument, Sisi i udhëzon zyrtarët që t’i mbajnë të fshehtë prodhimin dhe dërgimin e raketave “për t’i shmangur problemet me Perëndimin” dhe, për më tepër, letra u referohet planeve për ta furnizuar Rusinë me predha artilerie dhe barut.

Kur u pyet për dokumentet, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Egjiptit, Ahmed Abu Zeid, gazetës amerikane i tha: “Pozicioni i Egjiptit që nga fillimi është i mbështetur në mospërfshirje në këtë krizë dhe përkushtimi për ta mbajtur distancën e barabartë me të dyja palët, duke e pohuar përkrahjen e Egjiptit për Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare.”

Ai tha se Egjipti vazhdon që t’u bëjë thirrje të dyja palëve që t’i ndalin armiqësitë dhe të arrijnë një zgjidhje politike përmes bisedimeve.

Raporti citon edhe një zyrtar anonim amerikan, i cili tha se, aq sa di ai, armët egjiptiane nuk i janë dërguar Rusisë. “Ne nuk jemi të vetëdijshëm për ndonjë ekzekutim të atij plani. Nuk e kemi parë atë të ketë ndodhur”- tha ai.

Gazeta amerikane thekson se Egjipti është njëri ndër aleatët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe marrës i madh i ndihmave amerikane dhe se Departamenti i Drejtësisë i ShBA-së ka hapur një hetim për rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara.

Gazetari britanik, Jualian Borger, raportoi për gazetën “The Guardian” se rrjedhja e fundit e më shumë se njëqind dokumenteve sekrete të mbrojtjes në ShBA mund të jetë vetëm “maja e iceberg-ut” e një grumbulli të materialit që kishte filluar të qarkullonte shumë kohë para se të vërehej gjerësisht, sipas një raporti.

Lajme të ngjashme