Rrjedhja e dokumenteve sekrete, Pentagoni: Rrezik serioz për sigurinë kombëtare
Pentagoni ka thënë se rrjedhja e dokumenteve të klasifikuara të Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-së është një rrezik "shumë serioz" për sigurinë kombëtare.
Nga raportime të mediave, duket se dokumentet e zbuluara përmbajnë informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë, për Kinën dhe aleatët e ShBA-së, e duke folur me gazetarët të hënën, BBC raporton se një zyrtar i lartë i Pentagonit ka thënë se dokumentet ishin "një rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare dhe kanë potencial për të përhapur dezinformata".
"Ne jemi ende duke hetuar se si ndodhi kjo, si dhe shtrirja e çështjes," - është shprehur Chris Meagher, ndihmësi i sekretarit të mbrojtjes për çështjet publike.
Dokumentet - disa prej të cilave zyrtarët besojnë se janë ndryshuar - u shfaqën fillimisht në platformat online si Twitter, 4chan dhe Telegram, si dhe në një server Discord për lojën video "Minecraft".
Përveç informacionit shumë të detajuar në lidhje me luftën në Ukrainë, disa nga dokumentet e zbuluara thuhet se hedhin dritë edhe mbi materialet e ndjeshme informuese në lidhje me aleatët e ShBA-së.
Ndërsa sa i përket dokumenteve të tjera, thuhet se ato fokusohen në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme si dhe në rajonin Indo-Paqësor.
Meagher po ashtu ka njoftuar se Pentagoni ka mësuar për rrjedhjen e dokumenteve javën e kaluar, me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin të informuar për herë të parë mbi këtë çështje më 6 prill.
Çka ndodhi?
Një vistër dokumentesh të Pentagonit janë ekspozuar në media sociale dhe kanë zbuluar më shumë mbi gjendjen e luftës në Ukrainë, duke treguar se sa thellë ka depërtuar Amerika në shërbimet e ushtrisë dhe inteligjencës ruse, dhe duke zbuluar se Washingtoni ka spiunuar disa prej aleatëve më të afërt të saj por edhe të kundërshtarëve.
Raportet e inteligjencës shfaqin se ShBA-të duket se po spiuniojnë edhe ushtrinë ukrainse edhe liderët politikë të saj, e po ashtu edhe aleatët e rëndësishëm amerikanë, përfshirë Izraelin dhe Korenë e Jugut, shkruan The New York Times.
Dokumentet e rrjedhura tashmë i kanë komplikuar marrëdhëniet me shtetet aleate të ShBA-ve, duke rritur dyshime për aftësinë e shtetit më të fuqishëm në botë për të ruajtur sekrete.
Një zyrtar i lartë amerikan quajti rrjedhjen e dokumenteve si “shkeljen më masive të inteligjencës”.
Çka u mor vesh nga dokumentet?
Në rend të parë se ushtria ukrainase ishte shumë afër që të humbte edhe betejën kyçe të Bakhmutit.
Përveç kësaj, aty zbulohet se si influenca e mercenarëve të Wagner shtrihet shumë përtej Ukrainës. Grupi Wagner – thonë dokumentet – në mënyrë aktive ka punuar kundër interesave amerikane në Afrikë.
Megjithatë, dokumentet zbulonin edhe shenja se sanksionet perëndimore po jepnin frytet e tyre kundër Rusisë.

