Pentagoni po e heton rrjedhjen e mundshme të dokumenteve të NATO-s për Ukrainën - NACIONALE

Pentagoni po e heton rrjedhjen e mundshme të dokumenteve të NATO-s për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pentagoni është duke i hetuar disa pamje që duken si informata të klasifikuara ushtarake të ShBA-së dhe NATO-s për Ukrainën, të cilat po qarkullojnë në rrjete sociale, tha një zyrtar amerikan.

Televizioni CNN i ka rishikuar disa prej pamjeve që po qarkullojnë në “Twitter” dhe “Telegram”, por nuk ka mundur të vërtetojë nëse ato janë autentike ose nëse janë falsifikuar. Zyrtarët amerikanë thonë se dokumentet janë të vërteta, pjesë e një grupi më të madh të të dhënave të inteligjencës që janë hartuar nga Pentagoni për luftën, por duket se ato janë ndryshuar në disa pjesë.

Nënsekretarja për medie e Pentagonit, Sabrina Singh, nuk foli për legjitimitetin e dokumenteve, por përmes një deklarate tha se Departamenti i Mbrojtjes “është i vetëdijshëm për raportimet rreth postimeve në rrjete sociale dhe Departamenti është duke e rishikuar çështjen”.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i shefit të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, tha se beson që rusët qëndrojnë prapa rrjedhjes së pretenduar të dokumenteve. Sipas tij, dokumentet nuk janë autentike dhe se “nuk kanë të bëjnë asgjë me planet reale të Ukrainës” dhe janë të mbështetura në “sasi të madhe të informatave fiktive”.

Paraqitja e dokumenteve, qofshin origjinale ose jo, e ka shtuar fokusin te koha e fillimit të kundërofensivës ukrainase dhe çfarë di secila palë për përgatitjet e tjetrës rreth këtij operacioni.

Në një dokument që po qarkullon në internet shkruhet “Rusia/Ukraina Shtabi i Përgjithshëm J3/4/5 Përditësimi Ditor (D+370)” dhe është i klasifikuar si sekret. J3 e nënkupton drejtorinë e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, J4 merret me logjistikën dhe inxhinieringun, ndërsa J5 i propozon strategjitë, planet dhe rekomandimet e politikave. “D+370” i referohet datës së hartimit të dokumentit, që do të thotë 370 ditë pas fillimit të pushtimit rus.

Përpos shkrimeve, po qarkullon edhe një hartë, në të cilën shkruhet se është sekrete dhe ku shfaqet gjendja e konfliktit deri më 1 mars. Në hartë shfaqen vendndodhjet e batalioneve ruse dhe ukrainase si dhe madhësia e tyre. Aty gjenden edhe humbjet e vlerësuara të të dyja palëve.

Në dokument thuhet se 61 mijë deri në 71 mijë e 500 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftime, numër për të cilin zyrtarët thanë se duket që është i ndryshuar dhe është më i lartë se vlerësimi i vërtetë i Pentagonit.

Lajme të ngjashme