Pentagoni: Në prill nis ushtrimi me 26 mijë ushtarë, përfshihen Kosova e Shqipëria - NACIONALE

Pentagoni: Në prill nis ushtrimi me 26 mijë ushtarë, përfshihen Kosova e Shqipëria

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara njoftoi të mërkurën se më 22 prill do të fillojnë ushtrimet masive ndërkombëtare, “Defender 23”, në të cilat do të marrin pjesë rreth 26 mijë ushtarë, përfshirë disa nga Kosova e Shqipëria.

“Ky ushtrim vjetor, gati dy muaj i gjatë, është i përqendruar në dislokimin strategjik të forcave me bazë në ShBA, përdorimin e rezervave të parapozicionuara të ushtrisë dhe ndërveprimin me aleatët e partnerët evropianë”- tha në një konferencë për gazetarë në Pentagon nënsekretarja për shtyp, Sabrina Singh.

Ushtrimi “Defender 23” udhëhiqet nga forcat amerikane në Evropë dhe Afrikë dhe është planifikuar që nga viti 2021. “Ky ushtrim është i hartuar për ta dëshmuar aftësinë e ushtrisë amerikane që të dislokojë trupa dhe pajisje të gatshme për luftime për t’i siguruar aleatët, për t’i frenuar ata që do ta kërcënonin paqen e Evropës dhe për ta mbrojtur kontinentin nga agresioni”- thuhet në njoftimin e Pentagonit.

“Rreth 9 mijë trupa amerikane dhe rreth 17 mijë trupa nga 26 kombe aleate e partnere do të marrin pjesë dhe disa pjesë të ushtrimit do të shtrihen në 10 shtete të ndryshme evropiane”- tha zonja Singh.

Ajo shtoi se pajisjet për përkrahjen e ushtrimit do të fillojnë të arrijnë në Spanjë këtë javë.

Përpos ushtarëve amerikanë, në këtë ushtrim do të marrin pjesë edhe trupa të 25 shteteve të tjera: Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Moldavia, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Lajme të ngjashme