Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës thotë se së shpejti fillon kundërofensiva - NACIONALE

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës thotë se së shpejti fillon kundërofensiva

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, tha se forcat e tij së shpejti do të fillojnë një kundërofensivë, pasi i qëndruan fushatës së ashpër të Rusisë gjatë dimrit.

Ai tha se mercenarët e grupit “Wagner”, të cilët kanë qenë në vijën e frontit të sulmit të Moskës në pjesët lindore e jugore të Ukrainës, “janë duke humbur fuqi të konsiderueshme dhe po u humb entuziazmi”.

“Shumë shpejt, do ta shfrytëzojmë përparësinë e kësaj mundësie, siç kemi bërë në të kaluarën afër Kievit, Kharkivit, Balaklias dhe Kupianskut”- tha ai, duke i renditur kundërofensivat ukrainase vitin e kaluar, gjatë të cilave janë rimarrë nën kontroll territore të mëdha, raporton gazeta "The Guardian".

Në anën tjetër, shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, publikoi një letër që ia kishte dërguar ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, në të cilën thuhet se Ukraina ka për qëllim që t’i shkëputë forcat e “Wagner”-it nga ushtarët e rregullt të Rusisë.

Gazetarët e agjencisë “Reuters” afër vijës së frontit në veri të Bakhmutit panë shenja që linin të kuptohej se ofensiva ruse mund të jetë duke u venitur. Në një fshat të kontrolluar nga ukrainasit në perëndim të Soledarit, intensiteti i bombardimeve ruse ra në masë të dukshme në krahasim me dy ditë më parë.

“Ishte vërtet nxehtë këtu para një jave, por në tri ditët e fundit ka qenë më qetë”- tha një ushtar ukrainas me nofkën “Kamin” (“Guri”).

“Mund ta shohim këtë në sulmet ajrore të armikut. Nëse më parë ishin pesë – gjashtë sulme ajrore në ditë, sot patëm vetëm një sulm me helikopter”- shtoi ai.

Lajme të ngjashme