Medvedev: Përpjekja për arrestimin e Putinit do të përbënte shpallje lufte kundër Rusisë - NACIONALE

Medvedev: Përpjekja për arrestimin e Putinit do të përbënte shpallje lufte kundër Rusisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka paralajmëruar se çfarëdo përpjekje për ta arrestuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, pas lëshimit të një fletarrestimi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, do të përbënte shpallje lufte kundër Rusisë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një fletarrestim për presidentin rust ë premten, duke e akuzuar për dëbimin ilegal të qindra fëmijëve nga Ukraina, që është krim lufte. Gjykata tha se ka bazë të arsyeshme për të besuar se Putini ka përgjegjësi individuale penale për këtë rast.

Ish-presidenti Medvedev u tha medieve ruse se Gjykata Ndërkombëtare Penale, të cilën nuk e njohin disa shtete, përfshirë Rusinë, Kinën dhe ShBA-në, është “mosqenie ligjore” që nuk ka bërë asnjëherë ndonjë gjë domethënëse.

Megjithatë, Medvedevi, i cili tani shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, tha se çfarëdo përpjekje për ta ndaluar Putinin do të ishte shpallje lufte, raporton gazeta “The Guardian”.

“Të imagjinojmë – qartazi, situatë që nuk do të realizohet kurrë – por, sidoqoftë, le të imagjinojmë se ajo do të realizohej: kreu i tanishëm I shtetit bërthamor shkoi në një territor, le të themi në Gjermani, dhe u arrestua. Çfarë do të ishte kjo? Do të ishte shpallje e luftës ndaj Federatës Ruse dhe, në atë rast, të gjitha asetet tona – të gjitha raketat tona – do të fluturonin te Bundestag-u, te zyra e kancelarit”- tha ish-presidenti rus.

Lajme të ngjashme