Medvedevi tallet me fletarrestimin për Putinin, e krahason me letrën e tualetit
Ish-presidenti dhe zëvendësdrejtori i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Dmitry Medvedev, është tallur me fletarrestimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për presidentin rus, Vladimir Putin.
Zyrtari i lartë rus, i cili është njëri ndër aleatët kryesorë të Putinit, e ka krahasuar fletarrestimin e GjNP-së me letrën e tualetit.
“Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një fletarrestim kundër Vladimir Putinit. Nuk ka nevojë që të shpjegohet se KU duhet të përdoret kjo letër”- shkroi Medvedevi në rrjetin “Twitter”, duke ia shtuar shkrimit ilustrimin e letrës së tualetit.
The International Criminal Court has issued an arrest warrant against Vladimir Putin. No need to explain WHERE this paper should be used🧻.
— Dmitry Medvedev (@MedvedevRussiaE) March 17, 2023
Rusia ka thënë se nuk është subjekt i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe se vendimet e saj janë të pavlefshme për këtë shtet nga këndvështrimi ligjor.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, të premten tha: “Rusia nuk është anëtare e Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe nuk bart obligime sipas tij. Rusia nuk bashkëpunon me këtë organ dhe mundësia për arrestim që vjen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, do të jetë e pavlefshme për ne.”