Bideni e mirëpret lëshimin e fletarrestimit për Putinin nga GjNP-ja
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka mirëpritur lëshimin e fletarrestimit për homologun rus, Vladimir Putin, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Kjo gjykatë e akuzoi Putinin për kryerjen e krimeve në luftës në Ukrainë. Presidenti Biden tha se Putini e ka bërë qartazi këtë, raporton televizioni BBC.
Bideni tha: “Ai (Putini) qartazi ka kryer krime lufte.” Administrata e Bidenit më parë ka vlerësuar se Rusia ka kryer krime lufte gjatë konfliktit në Ukrainë. Në shkurt, nënpresidentja Kamala Harris tha se individët e përfshirë në këto krime do të mbahen përgjegjës.
Kombet e Bashkuara publikuan këtë javë publikuan një raport, në të cilin vlerësohet se largimi i fëmijëve ukrainas nga vendbanimet e tyre nga ushtria ruse me forcë dhe dërgimi i tyre në zonat që janë nën kontrollin e rusëve, përbën krim lufte.
Moska i ka mohuar akuzat dhe e dënoi fletarrestim, duke e quajtur “mizor”.
Ka shumë pak gjasa që të vijnë rezultate të mëdha nga ky vendim, pasi GjNP-ja nuk ka fuqi për të arrestuar të dyshuar pa bashkëpunim me qeverinë e shtetit të caktuar ku ndodhet i dyshuari.
Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, që do të thotë se gjykata me seli në Hagë nuk ka autoritet atje.
Megjithatë, vendimi mund ta prekë Putinin në mënyrë të tjera, si pamundësimi për të udhëtuar jashtë vendit. Ai mund të arrestohet, nëse shkel në tokat e 123 shteteve që janë anëtare të GjNP-së.
Në një deklaratë të publikuar të premten, GjNP-ja tha se ka bazë të arsyeshme për të besuar se Putini ka kryer akte kriminale drejtpërdrejt si dhe duke punuar me të tjerë. Gjykata e akuzoi atë, gjithashtu, se ka dështuar që ta përdorë pushtetin presidencial për ta ndalur deportimin e fëmijëve.