Urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata e Hagës për Vladimir Putin, çfarë dihet? - NACIONALE

Urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata e Hagës për Vladimir Putin, çfarë dihet?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar një urdhër-arrest për Vladimir Putin dhe komisioneren e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova, për "deportimin e paligjshëm" të fëmijëve ukrainas.

Sipas The Guardian, gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vlerësuar se kishte “baza të arsyeshme për të besuar se secili i dyshuar mban përgjegjësi për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe atë të transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse”.

Më tej, bëhet e ditur se gjyqtarët fillimisht kanë konsideruar që lëshimi i urdhër-arresteve të jetë sekret, por më pas kanë vendosur që bërja e tyre publike mund të “kontribuonte në parandalimin e kryerjes së krimeve të mëtejshme”.

Kujtojmë se Moska ka thënë se nuk e njeh juridiksionin e GJPN-së, me zëdhënësen e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e cila ka thënë se: “Vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare nuk kanë asnjë kuptim për vendin tonë, përfshirë edhe nga pikëpamja juridike”.

Në anën tjetër, shefi i kabinetit presidencial të Ukrainës, Andriy Yermak, e ka mirëpritur lajmin për urdhër-arrestet e lëshuara, duke thënë se: “Ky është vetëm fillimi”.

Dihet se prokurori i GJPN-së, Karim Khan, ka filluar hetimet për krimet e luftës në Ukrainë para më shumë se një viti, pasi udhëheqja ruse ka qenë plotësisht e hapur për dërgimin e fëmijëve ukrainas në Rusi dhe vendosjen e tyre në kampe ose vendosjen e tyre për birësim nga familjet ruse.

Më 16 shkurt të këtij viti, vetë Lvova-Belova ishte shfaqur në televizion duke i treguar presidentit Putin programin për fëmijët ukrainas, dhe duke zbuluar se edhe vetë ajo kishte “birësuar” një fëmijë 15-vjeçar nga Mariupoli. Mendohet se kjo bisedë mes Lvova-Belova dhe Putin, të ketë qenë një faktor kryesor në vendimin e prokurorit Khan për të lëshuar urdhër-arrestet ndaj tyre.

Ndërkohë, duke komentuar çështjen, Balkees Jarrah, drejtor i asociuar i drejtësisë ndërkombëtare në Human Rights Watch është shprehur se: “Me këto urdhër-arreste, GJPN-ja e ka bërë Putinin një njeri të kërkuar dhe ka ndërmarrë hapin e parë për t'i dhënë fund pandëshkueshmërisë që u ka dhënë guxim autorëve në luftën kundër Ukrainës”.

Ai më tej ka shtuar se urdhëri për arrestimin e tyre, dërgon mesazh të qartë se “dhënia e urdhrave për të kryer ose toleruar krime të rënda kundër civilëve mund të çojë në një qeli burgu në Hagë.”

Jarrah i ka cilësuar urdhër-arrestet e gjykatës, si një thirrje zgjimi për të tjerët që kryejnë abuzime ose i mbulojnë ato, pasi “dita e tyre në gjykatë mund të vijë, pavarësisht nga grada apo pozicioni i tyre.”

Lajme të ngjashme