Australia blen 220 raketa “Tomahawk” nga Shtetet e Bashkuara - NACIONALE

Australia blen 220 raketa “Tomahawk” nga Shtetet e Bashkuara

1 vit më parë

nga NACIONALE

Australia ka thënë se marrëveshja për të blerë 220 raketa të tipit “Tomahawk” nga Shtetet e Bashkuara është jetike për t’i mbajtur armiqtë larg. Shteti i largët i ka rritur shpenzimet ushtarake për t’iu kundërvënë fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.

Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Pat Conroy, tha se këto armë të fuqishme e me rreze të gjatë do të dislokohen së pari në anijet ekzistuese, ndërsa më vonë në një flotë të re të nëndetëseve me energji bërthamore, raporton faqja “France24”.

Një agjenci e Pentagonit e publikoi shitjen e këtij armatimi të enjten, duke thënë se vlera e marrëveshjes është deri në 895 milionë dollarë.

Këto armë i japin Australisë një arsenal të madh për t’i goditur armiqtë nga një largësi prej më shumë se 1 mijë kilometrash, diçka për të cilën ekspertët thonë se është masë e frikshme parandaluese për secilin armik të mundshëm.

“Sulmi me rreze të gjatë është në zemrën e zotimit të qeverisë për pajimin e Forcës Mbrojtëse Australiane, interesave tona të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, për t’i mbajtur armiqtë larg”- tha para gazetarëve ministri Conroy.

Lajmi për blerjen e pakos më të madhe të mbrojtjes nga Australia vjen disa ditë pasi udhëheqësit e këtij shteti, Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë e paraqitën planin për ta furnizuar Australinë me pesë nëndetëse amerikane me energji bërthamore para se shteti ta zhvillojë në bashkëpunim modelin e vet.

Edhe Japonia ka njoftuar rishtazi se do të blejë rreth 400 raketa “Tomahawk” nga Shtetet e Bashkuara. Tokioja dëshiron që ta zgjerojë kapacitetin e mbrojtjes përballë rreziqeve nga Kina e Koreja Veriore.

Lajme të ngjashme