ShBA-ja e miraton kërkesën e Finlandës për blerjen e raketave taktike, AIM 9X - NACIONALE

ShBA-ja e miraton kërkesën e Finlandës për blerjen e raketave taktike, AIM 9X

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar shitjen e grupit të dytë të armëve në Finlandë këtë muaj, duke i ndihmuar fqinjës së Rusisë në përpjekjen e saj për fuqizimin e mbrojtjes për shkak të luftës në Ukrainë, njoftuan Finlanda dhe Shtetet e Bashkuara.

Pasi Rusia e filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt, qeveria finlandeze vendosi që të ndante 1,7 miliard euro shtesë për armë dhe blerje të materialeve të tjera të mbrojtjes vetëm gjatë këtij viti, raporton agjencia “Reuters”.

“Një pjesë shumë domethënëse e saj do të shkojë për blerjet nga ShBA-ja”- tha të martën Ilkka Marttila, këshilltar qeveritar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së tha se shitja e propozuar e raketave taktike të tipit AIM 9X Block II, e armëve të tipit AGM-154 Joint Stand Off si dhe e pajisjeve përcjellëse, për shifrën e parashikuar për 323,3 milionë dollarësh, do t’i përmirësonte aftësitë e armëve ajër – ajër dhe ajër – tokë të Finlandës.

Finlanda planifikon që t’i përdorë këto raketa me flotën e saj të re të aeroplanëve luftarakë F-35, të cilët gjithashtu do t’i blejë nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët këtë muaj, Departamenti i Shtetit gjithashtu e miratoi shitjen e 150 sistemeve të raketahedhësve të shumëfishtë dhe të pajisjeve përcjellëse me një shumë të parashikuar prej 535 milionë dollarësh.

Finlanda me dekada ka qenë duke i përforcuar aftësitë mbrojtëse, por pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, Helsinki aplikoi për anëtarësim në NATO bashkë me Stokholmin fqinj.

Miratimi i shitjes së armëve në këtë shtet nga Shtetet e Bashkuara vjen në kohën e kërkesës dhe konkurrencës së lartë ndërkombëtare për sisteme armësh për shkak të luftës, sipas këshilltarit finlandez.

“Natyrisht se ne e theksojmë pozicionin tonë si fqinj i Rusisë dhe synojmë të ndikojmë në mënyrën në të cilën do të mund t’i blinim këto [armë] sa më shpejt që është e mundshme”- i tha ai agjencisë “Reuters”, duke shtuar se blerjet e fundit do të miratohen nga Ministria e Mbrojtjes e Finlandës në fillim të vitit të ardhshëm.

Lajme të ngjashme