Rrjedhja e dokumenteve sekrete: Rusët thonë se kanë krijuar lidhje me Emiratet e Bashkuara
Spiunët amerikanë kanë siguruar komunikim të zyrtarëve rusë të inteligjencës, të cilët janë mburrur se i kanë bindur Emiratet e Bashkuara Arabe që “të punojnë së bashku kundër agjencive të inteligjencës të ShBA-së dhe Britanisë”, sipas një dokumenti të pretenduar amerikan, i publikuar në internet si pjesë e rrjedhjes së madhe të të dhënave të inteligjencës së ShBA-së.
Zyrtarët amerikanë refuzuan që ta komentonin dokumentin që përmban shenja “top secret” dhe i cili është parë nga agjencia “Associated Press”. Qeveria e Emirateve të Bashkuara të hënën mohoi çfarëdo akuze se ky shtet i ka thelluar marrëdhëniet me inteligjencën ruse, duke i cilësuar ato si “kategorikisht të rreme”.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kishin pasur shqetësim në rritje se Emiratet e Bashkuara po i lejonin rusët dhe Rusinë që t’i shmangnin sanksionet e vendosura për luftën në Ukrainë.
Dokumenti i parë nga AP-ja përfshin një artikull ku citohet hulumtimi nga data 9 mars, me titull: “Rusia/Emiratet e Bashkuara: Marrëdhënia e inteligjencës duke u thelluar.” Zyrtarët amerikanë refuzuan që ta vërtetonin origjinalitetin e dokumentit. Këtë gjë nuk ka mundur ta bëjë në mënyrë të pavarur AP-ja. Megjithatë, dokumenti ngjan me letrat e tjera që janë publikuar si pjesë e rrjedhjes së fundit të të dhënave.
Duke iu referuar agjencisë kryesore pasardhëse të KGB-së së periudhës sovjetike, në dokumentin e parë nga AP-ja thuhet: “Në mesin e janarit, zyrtarët e FSB-së pretenduan se zyrtarët e shërbimit të sigurisë të Emirateve të Bashkuara dhe Rusia ishin pajtuar për të punuar së bashku kundër agjencive të inteligjencës të ShBA-së dhe Britanisë, sipas inteligjencës së sinjaleve, të siguruar rishtazi.” Inteligjenca e sinjaleve i referohet komunikimit të përgjuar, qoftë biseda telefonike, qoftë mesazhe elektronike.
“Emiratet e Bashkuara Arabe e shohin angazhimin me inteligjencën ruse si një mundësi për t’i fuqizuar lidhjet në rritje mes Abu Dabit dhe Moskës dhe për t’i bërë më të larmishme bashkëpunimet e inteligjencës në kohën e shqetësimeve për shkëputjen e ShBA-së nga rajoni”- konkludon dokumenti.
Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim për lëshimin e mundshëm të dokumenteve të Pentagonit, të cilat janë publikuar në disa faqe të rrjeteve sociale. Duket se dokumentet ofrojnë hollësi për ndihmën e ShBA-së dhe të NATO-s për Ukrainën dhe për vlerësimet e inteligjencës amerikane për aleatët e ShBA-së, të dhëna që mund t’i tendosin marrëdhëniet me ato vende.

