“Balona e sherrit”, gjithçka rreth mjetit të dyshuar të spiunazhit kinez në qiellin e ShBA-së
Një balonë e dyshuar spiunazhi kineze e kapur në qiellin e Shteteve të Bashkuara, ngriti shqetësim për sigurinë kombëtare, e tensionoi edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Njoftimi për zbulimin e balonës erdhi nga Pentagoni, që siguroi se menjëherë janë marrë të gjitha masat për mbrojtje nga mbledhja e informacionit të ndjeshëm.
“Balona aktualisht po udhëton në një lartësi mbi trafikun ajror komercial dhe nuk paraqet kërcënim ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë. Raste të këtij lloji të aktivitetit të balonave janë vërejtur më parë gjatë disa viteve të fundit. Pasi u zbulua balona, qeveria amerikane veproi menjëherë për t'u mbrojtur nga mbledhja e informacionit të ndjeshëm,”- u tha në njoftimin e Pentagonit.
Rrëzimi i balonës
E ndërsa është njoftuar për strukturën e balonës, për të cilën është thënë se ka madhësi të gjatësisë së tre autobusëve, fillimisht zyrtarët kanë vlerësuar se rrëzimi i kësaj balone do të ishte i rrezikshëm, pasi që mund të krijonte fushë mbeturinash dhe potencialisht të dëmtonte njerëzit. Megjithatë, një zyrtar amerikan ka njoftuar se me urdhër të presidentit Biden, balona tashmë është rrëzuar mbi Oqeanin Atlantik.
Është bërë e ditur se përpara rrëzimit të balonës, Administrata Federale e Aviacionit ka lëshuar një ndalesë tokësore për aeroportet në Wilmington, Charleston dhe Myrtle Beach në Karolinën e Jugut.
Reagimi i ShBA-së e Keqardhja e Kinës
Reagimi i parë nga ShBA drejt Kinës lidhur me këtë incident, erdhi nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e shtyu një udhëtim në Kinë, të planifikuar për fundjavë, duke thënë se ishte “minuar qëllimi i udhëtimit”.
Pas shtyrjes së kësaj vizite, ka ardhur edhe reagimi i Kinës, e cila pranoi se balona ishte e saja, e duke shprehur keqardhje, mohoi se ishte dërguar me qëllim në ShBA ndërsa shtoi se nuk ishte balonë spiunazhi, por përdorej për qëllime kërkimore meteorologjike dhe thjesht kishte devijuar rrugën.
“Përdoret për qëllime kërkimore, kryesisht meteorologjike. E prekur nga erërat e perëndimit dhe me aftësi të kufizuara vetëdrejtimi, ka devijuar rrugën e planfikuar.Pala kineze do të vazhdojë të komunikojë me palën amerikane dhe do të trajtojë siç duhet këtë situatë të papritur të shkaktuar nga forca madhore,”- është thënë nga ministria e Jashtme e Kinës. (forca madhore: referur një termi që nënkupton rrethana jashtë kontrollit të Kinës)
Megjithatë, Blinken më pas ka thënë se ia ka bërë të qartë Kinës se “prania e kësaj balone vëzhgimi në hapësirën ajrore të ShBA-së është një shkelje e qartë e sovranitetit dhe ligjit ndërkombëtar", duke shtuar se hapi i parë që do të bëhej në këtë çështje ishte largimi i saj.
“Hapi i parë është nxjerrja e aseteve të mbikëqyrjes nga hapësira jonë ajrore – dhe kjo është ajo në të cilën jemi fokusuar,”- ka thënë Blinken, para rrëzimit të balonës.
Në anën tjetër, Kina ka vazhduar të theksojë rëndësinë e mbajtjes së komunikimit me ShBA-të lidhur me çështjen, duke thënë se nuk do pranojë “hamendje të pabaza” e duke akuzuar politikanë dhe media amerikane për përdorimin e incidentit “si një pretekst për të sulmuar dhe njollosur Kinën”.
Një balonë e dytë në qiell
Përveç kësaj balone, Pentagoni ka njoftuar edhe për një balonë të dytë të parë mbi Amerikën Latine. Pa specifikuar vendodhjen e saktë, zëdhënësi Pat Ryder, ka thënë se "ne po shohim raporte për një balonë që kalon tranzit në Amerikën Latine. Tani vlerësojmë se është një tjetër balonë mbikëqyrëse kineze".
Duke komentuar këtë incident të fundit, sipas të dhënave nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Inteligjencës, mediat amerikane kanë vazhduar të shkruajnë për raste të mëparshme të spinuazhit, ku Pekini është kapur duke përdorur shkencëtarë kinezë e të huaj, biznesmenë e madje edhe student si spiunë në ShBA.
Incidenti me balonë është vetëm i fundit që ka ngritur tensionet mes vendeve, të cilat tash e sa kohë, kanë marrëdhënie të acaruara me njëra-tjetrën.
Çfarë janë balonat spiune?
Balona spiune bashkëkohore, është pjesë e një pajisjeje spiunazhi. Mund të jetë, shembull një aparat fotografik i futur në balonë që fluturon mbi një zonë të caktuar e transportuar nga rrymat e erës. Në balona mund të vendosen edhe radarë.
Ato zakonisht fluturojnë në 24,000 deri në 37,000 metra lartësi - shumë më lart se trafiku ajror komercial.
Edhe pse nuk ofrojnë mbikëqyrje të vazhdueshme si satelitët, janë me kosto me të ulët, mund të skanojnë më shumë territor dhe të qëndrojnë për kohë më të gjatë në një zonë të caktuar pasi lëvizin më ngadalë se satelitët.
Dihet se balonat për herë të parë janë përdorur nga francezët në vitin 1794, në luftë kundër trupave austriake dhe holandeze, ndërsa më pas mendohet se janë përdorur gjerësisht nga ShBA dhe Bashkimi Sovjetik gjatë luftës së ftohtë, duke qenë një metodë me kosto të ulët për mbledhje informacionesh.