Balona spiune në ShBA, Kina: Është për kërkime meteorologike, ka devijuar rrugën - NACIONALE

Balona spiune në ShBA, Kina: Është për kërkime meteorologike, ka devijuar rrugën

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shtyu udhëtimin e tij të planifikuar në Kinë, si përgjigje ndaj një balone të dyshuar spiune kineze në ShBA, Kina ka dalë me një deklaratë ku ka dhënë versionin e saj.

Ministria e Jashtme kineze ka pretenduar se balona e dyshuar si spiune, është në fakt një “anije ajrore civile”, që përdoret për kërkime meteorologjike dhe ka devijuar rrugën e planifikuar.

Deklarata, e dalë nga një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze, është pranimi i parë nga Kina që në fakt “anija ajrore” e kishte origjinën nga Kina.

“Është një anije ajrore civile që përdoret për qëllime kërkimore, kryesisht meteorologjike. E prekur nga erërat e perëndimit dhe me aftësi të kufizuara vetëdrejtimi, ka devijuar rrugën e planfikuar.”

Më tej, në deklaratë thuhet se “pala kineze shpreh keqardhje për hyrjen e paqëllimshme të anijes ajrore në hapësirën ajrore të ShBA-së”.

“Pala kineze do të vazhdojë të komunikojë me palën amerikane dhe do të trajtojë siç duhet këtë situatë të papritur të shkaktuar nga forca madhore,”- është shtuar në deklaratën e ministrisë së Jashtme të Kinës. (forca madhore: referur një termi që nënkupton rrethana jashtë kontrollit të Kinës)

Ndërkohë, një zyrtar ushtarak amerikan ka thënë se incidenti ishte serioz për shkak të “guximit” të qeverisë kineze dhe jo të ndonjë përfitimi të inteligjencës.

Udhëtimi i planifikuar i Antony Blinken në kryeqytetin kinez, do të pasonte takimin e presidentit Joe Biden me Xi Jinping të realizuar në Bali në fund të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme