Pentagoni thotë se ka zbuluar një balonë spiune kineze duke fluturuar mbi ShBA - NACIONALE

Pentagoni thotë se ka zbuluar një balonë spiune kineze duke fluturuar mbi ShBA

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Pentagoni ka thënë se është duke gjurmuar një balonë spiune kineze që është zbuluar duke fluturuar mbi ShBA, por për çështje sigurie ka vendosur të mos e rrëzojë.

Sipas The Guardian, zyrtarët e mbrojtjes kanë treguar se balona është nën vëzhgim që kur kishte hyrë në hapësirën ajrore të ShBA-së, disa ditë më parë.

Bëhet e ditur se vazhgimi po bëhet në disa metoda, përfshirë avionët me ekuipazh dhe së fundmi balona është parë duke kaluar në Montana, aty ku është baza e raketave bërthamore të ShBA-së.

Në deklaratën e Pentagonit thuhej se: “Balona aktualisht po udhëton në një lartësi mbi trafikun ajror komercial dhe nuk paraqet kërcënim ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë. Raste të këtij lloji të aktivitetit të balonave janë vërejtur më parë gjatë disa viteve të fundit. Pasi u zbulua balona, qeveria amerikane veproi menjëherë për t'u mbrojtur nga mbledhja e informacionit të ndjeshëm.”

Ndërsa, si masë paraprake, është njoftuar për pezullim të fluturimeve ditën e mërkurë nga aeroporti Billings Logan.

Deri më tani qeveria kineze nuk e ka konfirmuar nëse është balona e saj, ndërsa mediat shtetërore kineze e kanë përdorur incidentin për të tallur ShBA-në.

“Nëse balonat nga vendet e tjera mund të hyjnë me të vërtetë pa probleme në kontinentin e ShBA-së, apo edhe të hyjnë në qiell mbi shtete të caktuara, kjo vetëm dëshmon se sistemi i mbrojtjes ajrore të ShBA-së është krejtësisht një dekorim dhe nuk mund t'i besohet,”- ka shkruar një media kineze.

Ndërkohë, të premten pasdite, China Daily ka thënë se pretendimet për balonë spiune ishin një gënjeshtër.

“Për të spiunuar ShBA-në me një balonë, duhet që të dy të jenë shumë prapa për të përdorur një teknologji të viteve 1940 dhe të jenë mjaft të avancuar për të kontrolluar fluturimin e saj përtej oqeanit. Ata që fabrikojnë gënjeshtrën vetëm sa ekspozojnë injorancën e tyre,”- ka shkruar China Daily.

Incidenti vjen pak para se sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, pritej të vizitonte Kinën këtë fundjavë për të takuar presidentin, Xi Jinping. Udhëtimi nuk është njoftuar zyrtarisht, por Pekini dhe Uashingtoni kanë folur për vizitën e tij të afërt.

Lajme të ngjashme