Tensionet me ShBA-në për balonën e dyshuar të spiunazhit, Kina bën thirrje për qetësi
Pas tensioneve në rritje mes Kinës e ShBA-së për shkak të balonës së dyshuar kineze të kapur në hapësirën ajrore të kësaj të fundit, Kina ka bërë thirrje për qetësi.
Thirrja kineze vjen pasi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka shtyrë udhëtimin e tij të planifikuar për në Kinë për një kohë të pacaktuar.
Të premten, një ditë pas pikasjes së balonës kineze, partia republikane ka nxjerrë pretendime se administrate e Biden nuk po bën aq sa duhet për të penguar kundërshtarët e saj, ndërkohë që Kina ka bërë thirrje për një “trajtim me mendje të ftohtë” të këtij incidenti.
Në një deklaratë të dhënë të shtunën, ministra e Jashtme kineze tha se Pekini “kurrë nuk ka shkelur territorin dhe hapësirën ajrore të ndonjë vendi sovran”.
Më tej, ministria ka njoftuar se kryediplomati i Kinës, Wang Yi, kishte folur me Blinken dhe ka theksuar për rëndësinë e mbajtjes së komunikimit.
“Pekini nuk do të pranonte asnjë hamendje të pabazë,”- është thënë më tej nga ministria kineze, duke akuzuar disa politikanë dhe media amerikane për përdorimin e incidentit “si një pretekst për të sulmuar dhe njollosur Kinën”.
Ndërkohë, duke komentuar bisedën me Wang, Blinken ka thënë se ai e ka bërë të qartë se “prania e këtij baloni vëzhgimi në hapësirën ajrore të ShBA-së është një shkelje e qartë e sovranitetit dhe ligjit ndërkombëtar".
Kujtojmë se sekretari i shtetit, Blinken do të vizitonte Pekinin më 5-6 shkurt për bisedime mbi shumë çështje, përfshirë sigurinë, Tajvanin dhe Covidin. Udhëtimi tashmë i shtyrë, do të shënonte një takim të parë të nivelit të lartë mes dy vendeve pas shumë vitesh.