Balona e dyshuar e spiunazhit kinez në qiellin e ShBA-së, çfarë dihet deri më tani?
Një balonë e dyshuar e mbikëqyrjes kineze është kapur në qiellin e Shteteve të Bashkuara, duke ngritur shqetësim për sigurinë kombëtare, e duke tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të tensionuara me Kinën.
Përgjigja ndaj kësaj balone, ka ardhur fillimisht nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e ka shtyrë udhëtimin e tij të planifikuar për fundjavë për në Kinë, duke thënë se balona kineze në hapësirën ajrore të ShBA-së, kishte krijuar “kushtet që minojnë qëllimin e udhëtimit”.
Blinken e ka cilësuar incidentin si një "akt të papërgjegjshëm," ndërkohë, Kina ka mohuar që balona të jetë për qëllime spinazhi duke thënë se “zakonisht përdoret për qëllime kërkimore, meteorologjike”.
Lidhur me situatën aktuale, zyrtarë të Mbrojtjes kanë thënë për CNN, se balona mund të dalë nga bregu lindor i Shteteve të Bashkuara mëngjesin e së shtunës, e më pas të kalojë në det në juglindje, pranë Carolinas.
Është bërë e ditur po ashtu se ShBA nuk e ka përjashtuar mundësinë e rrëzimit të saj, me presidentin Joe Biden dhe zyrtarët e ekipit të sigurisë kombëtare të cilët kanë diskutuar opsionet.
Ndërkohë, sa i përkët strukturës së balonës së spinuazhit, zyrtarët kanë thënë se mund të jetë afërsisht gjatësia e tre autobusëve të qytetit.
Kujtojmë se Kina ka shprehur keqardhje për incidentin, duke pretenduar se balona për “kërkime meteoroligjike”, ka devijuar rrugën shkaku i erërave. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Kinës e ka përshkruar situatën si një aksident.
Një balonë e dytë e dyshuar spiune
Të premten në mbrëmje Pentagoni ka njoftuar se edhe një balonë tjetër spiune kineze është parë mbi Amerikën Latine. Edhe pse nuk është bërë e qartë saktësisht se ku ndodhet mbi kontinent, një zyrtar amerikan ka thënë se aktualisht nuk duket se ajo balonë është nisur drejt Shteteve të Bashkuara.

