Ambasada ruse thërret për “varje” të ushtarëve të Azov, Ukraina e etiketon Rusinë “shtet terrorist” - NACIONALE

Ambasada ruse thërret për “varje” të ushtarëve të Azov, Ukraina e etiketon Rusinë “shtet terrorist”

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Ukraina e ka etiketuar Rusinë një "shtet terrorist" pasi ambasada e Moskës në Mbretërinë e Bashkuar postoi në Twitter se ushtarët e batalionit ukrainas Azov meritonin një "vdekje poshtëruese" duke u varur.

Tweet-i i ambasadës erdhi pasi u vranë më shumë se 50 të burgosur ukrainas të luftës të mbajtur nga Rusia, ku mes tyre thuhet se kishte edhe ushtarë të Azov.

Ushtarët ukrainas vdiqën në një sulm në burgun Olenivka në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia. Sulm për të cilin Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën.

E edhe pse Twitter pranoi se postimi nga ambasada ruse shkelte "rregullat e kompanisë së mediave sociale për sjelljen e urrejtjes" - shtoi se mund të jetë në interesin publik për ta mbajtur atë të aksesueshëm.

Me këtë postim, përveç qeverisë ukrainase, shumë përdorues të tjerë të Twitter shprehën zemërim të madh.

Ende nuk është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur ditën e premte në burg. Por, pamje të paverifikuara ruse tregojnë trupa të djegur dhe vendin e shkatërruar.

Pas sulmit, ambasada ruse në MB shkroi në Twitter se "militantët e Azov meritojnë ekzekutimin, por vdekjen jo me pushkatim, por me varje, sepse ata nuk janë ushtarë të vërtetë. Ata meritojnë një vdekje poshtëruese".

Tweet-i përfshinte një videoklip që tregonte një çift në një ndërtesë të shkatërruar, duke akuzuar trupat e Azov se kishin granatuar shtëpinë e tyre. Ndërsa, thirrja e ambasadës për ekzekutim përsëriti atë që thoshte burri në video.

Trupat e Azov u detyruan të dorëzohen në muajin maj, pas mbrojtjes së fabrikës së çelikut Azovstal të Mariupolit për javë të tëra. Regjimenti Azov, i krijuar në vitin 2014 ishte fillimisht një grup nacionalist me lidhje të ekstremit të djathtë, por më vonë u bë pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës.

Ndërsa, si pjesë e fushatës propagandistike të Kremlinit për të justifikuar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, Rusia ka akuzuar prej kohësh këtë regjiment si neonazistë dhe kriminelë lufte.

E pas thirrjes së fundit të ambasadës ruse, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, shkroi në Twitter se: "Nuk ka asnjë ndryshim midis diplomatëve rusë që bëjnë thirrje për ekzekutimin e të burgosurve ukrainas të luftës dhe trupave ruse që e bëjnë këtë në Olenivka.

Ai shtoi se, ata janë të gjithë bashkëpunëtorë në këto krime lufte dhe duhet të mbahen përgjegjës.

Lajme të ngjashme