Rusia po rekruton mijëra vullnetarë për luftën në Ukrainë, ofron paga të majme
Në mbarë Rusinë, batalione vullnetarësh po formohen për t’u dërguar në Ukrainë, për t’iu bashkuar të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”, të shpallur në shkurt nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Nga Murmansk-u në veri deri në Perm në Urale e Mrimorsky Krai në Lindjen e Largët, është përhapur thirrje për t’iu bashkuar ushtrisë duke i përdorur si joshje patriotizmin dhe kuletën. Përvoja përkatëse ushtarake nuk kërkohet gjithmonë.
Në përgjithësi, analistët vlerësojnë se mbi 30.000 vullnetarë mund të mobilizohen për t’i plotësuar rangjet ruse, të varfëruara nga pesë muaj luftë.
Javën e kaluar, shefi i shërbimit sekret britanik të inteligjencës, Richard Moore, tha se për rusët do të jetë gjithnjë më vështirë që të furnizohen me fuqi njerëzore dhe materiale gjatë javëve të ardhshme.
Se çfarë ndikimi mund të kenë këto batalione, mbetet pyetje e hapur. Vullnetarët çeçenë kanë luajtur rol të madh në luftimet në Donbas, sidomos në qytetin Mariupol. Megjithatë, ata janë relativisht të pajisur mirë dhe kanë përvojë të gjerë ushtarake. Batalionet që po formohen në zona të tjera qartazi nuk i kanë këto.

Kateruna Stepanenko, hulumtuese për Rusinë në Institutin për Studime të Luftës në Uashington, tha: “Disa batalione do të marrin pjesë ekskluzivisht në përkrahje të luftimeve dhe operacione për përkrahje të luftimeve, ndërsa të tjerat do t’i përforcojnë njësitet ushtarake ekzistuese ose do të formojnë batalione luftarake.”
Stepanenko thotë se procesi po drejtohet nga Moska. “Raportohet se Kremlini i ka urdhëruar të gjitha 85 subjektet federale ruse (rajonet e Federatës Ruse si dhe Krimenë e Sevastopolin e pushtuar) që të rekrutojnë batalione vullnetarësh për ta shmangur shpalljen e mobilizimit të pjesshëm ose të plotë në Rusi”, tha ajo.
Kushtet për t’u bërë pjesë e këtyre batalioneve dallojnë nga vendi në vend. Në një fletushkë në internet në Kazan thuhet: “Ne i ftojmë burrat nën moshën 49-vjeçare, që kanë shërbyer më parë në ushtri, dhe ofrojmë kontratë për katër muaj për specializimin tuaj ushtarak.”
Në vende të tjera, të drejtë aplikimi kanë burrat deri në moshën 60-vjeçare pa të kaluar kriminale. Në njoftimet e publikuara në internet shpesh nuk kërkohet përvoja e mëparshme ushtarake.
Sipas njoftimeve, rreth një muaj i kushtohet trajnimit – jo shumë për situatën kur rekrutët kanë pak ose aspak përvojë ushtarake. Sipas politikës standarde të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, të gjithë rekrutët, që nënshkruajnë kontratë, duhet të kenë katër javë trajnime të kombinuara. Nuk është e qartë nëse kjo po zbatohet për të gjithë vullnetarët.
Kontratat e vullnetarëve zakonisht janë për një periudhë nga katër muaj deri në një vit. Vullnetarëve u premtohen paga shumë më të larta se paga mesatare në rajonet përkatëse. Për shembull, batalionet që po formohen në Perm dhe në rajonin perëndimor rus, Kirov, ofrojnë pagë nga 300.000 rubla (rreth 5.000 dollarë) në muaj./CNN
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli