Vrasja e 35-vjeçares me urdhër mbrojtës: E kujt është përgjegjësia dhe çfarë thotë ligji? - NACIONALE

Vrasja e 35-vjeçares me urdhër mbrojtës: E kujt është përgjegjësia dhe çfarë thotë ligji?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Një grua e moshës 35 vjeçare, shtatzënë, u vra nga burri i saj, në oborrin e Gjinekologjisë, aty ku pritej ta sjellte në jetë foshnjen që po e mbante në bark, tash e nëntë muaj. Për të ishte lëshuar një urdhër i mbrojtjes, por çka është kjo masë?

Hamide Magashi, e as fëmija që po e mbante, nuk arritën t’i mbijetojnë plagëve të shkaktuara nga arma.

Tronditja emocionale e shoqërisë, tashmë po kthehet në një skandal të vërtetë institucional.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatëzënë e vrarë mbrëmë në QKUK, kishte urdhër mbrojtje. Sipas njoftimit të Gjykatës, urdhri mbrojtës ishte në fuqi deri në muajin mars 2023. Nacionale sjell të përmbledhur se çka thotë ligji lidhur me urdhrin mbrojtës.

Kush e lëshon e kush duhet ta zbatojë urdhërin e mbrojtjes?

Ligji Për Mbrojtje Nga Dhuna Në Familje, është mekanizmi me anë të së cilit, shteti obligohet ta mbrojë viktimën.

Për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes, e i cili qëllim ka parandalimin e dhunës në familje, mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, kompetente është Gjykata. Në rastin konkret Gjykata Themelore e Ferizajt, duke u thirrë në nenet 13 dhe 14 të këtij ligji, e ka lëshuar një urdhër të tillë.

Neni 13 dhe 14, flet për mënyrën e paraqitjes së kërkesës për urdhër mbrojtës, ose urdhër mbrjtjeje emergjente.

Në raste të tilla, kur dhuna shkaktohet, brenda një familje, dhe brenda vendbanimit të njejtë, ligji ndër të tjera e parasheh që viktima, duhet ta paraqesë një adresë alternative, përçka gjykata nëse është e nevojshme, atë adresë e mbanë në dosje të mbyllura.

Kush duhet ta zbatoj urdhrin mbrojtës?

Në të njejtin ligj, në nenin 3 përcaktohen, organet kompetente për lëshimin e zbatimin e këtij urdhëri. Pika 6 e nenit 3 e përcakton se për ta zbatuar urdhrin e mbrojtjes, në mënyrë që viktima të mbrohet, organ kompetent është Policia e Kosovës.

Nga ajo që dihet deri më tash është se dorasi, Sokol Halili, e ka thyer urdhrin mbrojtës, jo vetëm në momentin tragjik, por sipas familjarëve të të ndjerës, ai kishte qenë edhe te shtëpia, e të ndjerës.

Krejt kjo situatë tragjike, del të jetë mos zbatim i ligjit e dështim i madh i institucioneve, e sidomos i Policisë së Kosovës.

Procedurat Standarde të Veprimit Për Mbrojtje Nga Dhuna Në Familje, është një dokument tjetër shtetëror, i shkruar, hartuar, e standardizuar me parimet themelore të të Drejtave të Njeriut.

Aty parashihen masa nga më të sofistikuarat, për ta mbrojtur viktimën, masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit personave të ekspozuar dhunës, masa mbrojtëse e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit, masa mbrojtëse e shoqërimit viktimës së dhunës (zbatohet nga policia).

Policia e mban primatin e përgjegjësisë, edhe në këtë dokument. Aty, tek kapitulli, Mekanizmat institucional të përfshirë drejtpërdrejtë në mbrojtje të viktimave nga dhuna në familje, numër një në hierarkinë e institucioneve, del të jetë Policia e Kosovës.

Si duhet të veprojë Policia?

Në raste si këto, sipas dokumentit të përpiluar nga Zyra e Kyrministrit, përkatësisht Agjencia Për Barazi Gjinore, përcaktohet edhe plani për sigurinë e viktimës.

Policia duhet të siguroj burimet të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për të siguruar efektivitet në luftimin e dhunës në famlje.

Policia duhet ta këshillojë viktimën lidhur me rëndësinë e planit të sigurisë për viktimën, posaçërisht nëse viktima kthehet në shtëpinë ku ka pasur dhunë dhe mund ta ndihmojë viktimën në përpilimin e këtij plani.

Koha më adekuate për përpilimin e planit të sigurisë është koha pasi viktima të vendoset në strehimore apo vend të sigurtë dhe pas ofrimit të periudhës së reflektimit.

Policia mund të udhëzojë akterët tjerë që ndihmojnë viktimën të përpilojnë një plan të sigurisë. Në rastet kur policia e vlerëson se ekziston rrezik për viktimën apo akterët tjerë, policia ofron siguri duke përfshirë shoqërimin dhe sigurimin e transportit gjatë procesit gjyqësor.

Policia e Kosovës duhet të ndërmerr të gjitha masat për monitorimin dhe ekzekutimin e menjëhershëm të të gjithë urdhërave mbrojtës.

Në rastet kur policia gjatë hetimit të dhunës në familje rezulton se ka elemente të veprës penale ose ka shkelje të urdhërave mbrojtës, komunikon me prokurorin, e njofton me rastin konkret dhe varesishtë nga udhëzimet e marra vepron, ndersa me vonë përpilon kallximin penal dhe rastin e referon tek Prokurori kompetent.

Shkelja e urdhrit të mbrojtjes, e cila pra mbikqyret nga Policia e Kosovës, është e denueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

200 deri në 2000 euro, e deri në 6 muaj burgim, parashihet dënimi.

Por, në rastin konkret, nga ajo që është raportuar deri tash, kryesi i vrasjes, duket se ka qenë recidivist, sa i përket shkeljes së urdhërit të mbrojtës, e që në ligj përcaktohet si rrethanë rënduese.

Nga deklaratat e krerëve të institucioneve, deri më tash, duket se fajin e përgjegjësinë nuk po e merr askush, derisa vrasja e grave në Kosovë, tashmë është shndërruar në dukuri.

Lajme të ngjashme