DORËHEQJE: Vrasja e gruas shtatzënë ka karakter të qartë politik - NACIONALE

DORËHEQJE: Vrasja e gruas shtatzënë ka karakter të qartë politik

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Nuk duhet ta kërkoni dorëheqjen e ministrit. Duhet të protestoni kundër policisë. Duhet të protestoni kundër shoqërisë. Duhet të gjeni diçka edhe më të përgjithshme dhe të protestoni kundër saj. Duhet të protestoni kundër havasë. Ndoshta, duhet t’ia kërkoni dorëheqjen edhe zotit. Pra, duhet ta shpërndani përgjegjësinë aq shumë, sa të çkuptimësohet krejtësisht kjo fjalë.

Jetlir Buja

Të flasim seriozisht, veç pak!

Gruaja shtatzënë 35 vjeçare që u vra dje meriton drejtësi. Por, drejtësia nuk do të vihet në vend kur ish burri i saj, vrasësi, të kapet nga policia. Ajo vihet në vend kur ta kuptojmë mirëfilli arsyen e ekzistencës së politikanëve dhe problemin e dhunës së grave. Shtatzëna 35 vjeçare vdiq, s’ekziston më. Për të në realitet s’mund të ketë kurrfarë drejtësie më. Por, ekzistojnë mijëra gra tjera në shoqërinë tonë që rrezikojnë fat të ngjashëm. Një pjesë e të cilave pashmangshëm do të ketë fat të ngjashëm.

Kjo vrasje ashtu si rastet tjera të dhunës ndaj grave në shoqërinë tonë nuk janë çështje të mbyllura brenda një apo dy familjeve. Nuk janë as çështje të thjeshta legalo-juridike. S’janë as thjesht çështje të policisë e gjykatave. Janë çështje politike. As një a dy familje, as policia, as disa prokurorë, nuk kanë kompetencat dhe kapacitetet për t’u marrë me dhunën ndaj grave në plan të gjerë. Sepse, ky nuk është një problem i izoluar më. Dhe, s’është as problem ‘metafizik’ që evokon prej nesh veç kukama.

Vrasjen e Hamides dje, si atë të arsimtares para një jave, nuk mund ta fusim e stivojmë brenda asnjë kornize të ngushtë. Nëse përnjëmend besojmë që dhuna ndaj grave s’është problem i izoluar, nëse përnjëmend besojmë te drejtësia, atëherë përgjegjësia që duhet ta kërkojmë duhet të jetë politike. Sepse problemi është politik.

Për të vrarën kishte urdhër mbrojtjeje, dhe kjo tashmë edhe është konfirmuar. U vra në oborrin e një institucioni publik, QKUK-së. Më herët, ishte rrahur prej vrasësit ndaj të cilit kishte edhe aktakuzë. Por, më e rëndësishmja, ajo është thjesht një grua tjetër që e pëson nga dhuna alarmante e burrave.

Po, shoqëria është patriarkale. Po, institucionet tona janë të mbushura me njerëz me vlera patriarkale. Edhe? A po mjafton që thjesht të shprehen konstatime në Facebook e në rrugë? Edhe vrasja e djeshme na e dëshmon se jo. Bile, na e dëshmon se ato konstatime e kukama abstrakte thjesht po amnistojnë ata që mbajnë përgjegjësinë kryesore për ta luftuar problemin.

Kush janë këta përgjegjës kryesorë? Politikanët nuk ekzistojnë sepse pa çare duhet të ekzistojnë. Ata në një të ardhme të afërme mund edhe të mos ekzistojnë. Por, sot për sot ekzistojnë pikërisht sepse duhet të zgjidhin probleme të tilla madhore përmes institucionesh dhe mekanizmash që e kanë përgjegjësinë t’i drejtojnë. Hartimi i politikave, rritja e ndërgjegjësimit dhe ndërtimi i mekanizmave përkatës bëhet prej tyre dhe askujt tjetër.

Rrjeti i Grave të Kosovës dje thirri një protestë pa treguar se kundër kujt e bënte. Ishte tronditëse. Përmendnin “institucione” pa pasur guxim madje as të vinin një emër institucioni, se lëre më një emër njeriu aty. Qysh protestohet kur nuk ke asnjë qëllim specifik për të arritur, e kur nuk guxon t’i dalësh kundër asnjë njeriu të vetëm? Qysh protestohet kur megjithëse e thua që problemi i dhunës ndaj grave është madhor, e trajton sërish si rast të izoluar e minor? Protestë sa për të thënë që protestuam? Natyrisht!

Dorëheqja e një ministri apo zyrtari tjetër politik për raste të tilla nuk është akt personal. Prandaj, edhe kërkesa për dorëheqjen e një ministri apo zyrtari tjetër të lartë politik s’ka të bëjë me personin. Në pyetje është pozita që ushtrohet. Në pyetje është përgjegjësia politike. Në pyetje s’është të sulmohet rasti që ka ndodhur, por rastet që pritet të ndodhin. Në pyetje është të dëshmohet vullneti për ndryshim.

A jemi të gatshëm që me ndërgjegje të plotë të mbyllim gojën për përgjegjësinë politike para çdo vrasjeje të grave? A jemi të gatshëm të themi që karriga e një ministri është më e rëndësishme se jeta e një gruaje?

Dje e pashë që Rrjeti i Grave ishte plotësisht i gatshëm. I gatshëm, për shkak të pamundësisë për të rezonuar politikisht mbi problemet politike që synon t’i zgjidhë. Ndoshta, sepse është tepër i dhënë pas egove të disa njerëzve në karrige pushteti.

Çka ndodhi, meqë ra fjala, me dorëheqjen që u dha për pozitën që nuk ushtrohej fare për rastin e 11 vjeçares që ishte përdhunuar nga shumë persona? A u protestua?

Lajme të ngjashme