Sulmet kibernetike rriten në Kosovë, cak kryesisht mediet – ekspertët alarmojnë për gjendjen - NACIONALE

Sulmet kibernetike rriten në Kosovë, cak kryesisht mediet – ekspertët alarmojnë për gjendjen

3 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Sulmet kibernetike janë shtuar në Kosovë. Së fundmi, mediat kanë qenë cak i sulmeve kibernetike, duke u pamundësuar punën e përditshme të informimit. Ekspertët e kibernetikës i cilësojnë sulmet kibernetike si problem strategjik të Kosovës, gjersa statistikat që ofron Policia e shtetit tregojnë përkeqësim të sigurisë në botën online.

Njëra prej sfidave më të mëdha moderne, padyshim që është “lufta” online, e cila me zhvillimin e hovshëm teknologjik dita ditës po merr përmasa të mëdha edhe në Kosovë. Sfiduese për shtetin e Kosovës mbetet lufta ndaj krimeve kibernetike dhe përballja institcionale për sigurinë dhe ndjekjen e këtyre krimeve.

Me sulme të tilla, jo rrallë herë po përballen edhe mediat në Kosovë. Së fundmi, cak i sulmeve kibernetike ka qenë edhe gazeta Nacionale, ku disa ditë rresht gazetarëve iu është pamundësuar operimi normal i punës, e përveç kësaj edhe sulm ndaj fjalës së lirë dhe dëmtim në aspektin financiar të mediumit.

Këtë rast gazeta Nacionale e ka paraqitur edhe në polici të Njësiti për Krime Kibernetike e po ashtu pati edhe reagim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Megjithatë, raporti i institucioneve me mekanizmat e ofrimit të sigurisë kibernetike po vlerësohet si mangët dhe metodat se si të luftohent kjo dukuri mbetet sfiduese për institucionet e sigurisë.

Butrint Komoni, njëri nga ekspertët më të mirë në Kosovë për siguri kibernetike, i cili është edhe themelues i kompanisë VOID | International, një kompani ndërkombëtare e suksesshme me fokus në zhvillimin e mekanizmave të sigurisë kibernetike për mbrojtje nga kërcënimet e sofistikuara, thotë se me dixhitalizimin e hovshëm ka persona të cilët do të mundohen të pasurohen në formën ecenciale në botën e internetit.

Tash hakerët janë të shtyrë për motive financiare; shembull, dikush mundet me pasë një qëllim të keq për Gazetën Nacionale, ai nuk e ka fuqinë e vetë për me bo dëm, por i ka 1000-2000 euro në edhe ja jep dikujt, kryesisht janë djem të rinj këta që bëjnë i bëjnë këto gjëra. Ai që sulmon e bën për qëllim financiar, por ai që porositë mund të ketë motive të ndryshme, nuk i ka pëlqy ndonjë lajm apo diçka e tillë”, thotë Komoni.

Sipas tij, siguria kibernetike në Kosovë është problem strategjik shtetëror dhe struktura ligjore është e mangët.

Struktura ligjore është e mangët akoma, sepse kemi sulme të ndryshme që bëhet me të avansuara e më të avansuara, Kodi Penal i Kosovës nuk i parasheh këto sulme. Por mundemi me u thirrë mbi motivet për me dënu dikë; motivet financiare, vandaliste, hakëmarrse etj. Kjo është njëfarë lloj vandalizimi kibernetik që bëhet”, thotë Komoni për Nacionale.

Sulmet ndaj medies – rastet e raportuara

Kohë më parë, cak i sulmeve kibernetike kishte qenë edhe Gazeta Online Reporteri.net.

Kryeredaktori i këtij mediumi, Mentor Gjergjaj, në një prononcim për Nacionale, thotë se ky sulm kishte zgjatur tri ditë, duke ndikuar negativisht në infrastrukturën dhe lexueshmëri.

Pasojat natyrisht që kanë qenë të mëdha. Përveç atyre financiare, kanë edhe tendencë intimidimi dhe pengimi të mediumit dhe punës së mediumit”, sqaron Gjergjaj, i cili thotë se rastin e kishin hapur në polici në 7 marsin e vitit 2021, por deri më tani nuk janë informuar në ndonjë rezultat në hetim.

Gazeta Nacionale ka kërkuar nga Policia e Kosovës për numrin e rasteve të hetimit rreth krimeve kibernetike.

Policia e shtetit ka treguar rastet penale që lidhen me sulmet kibernetike.

Në tabelën e ofruar nga Policia, shihet rritja enorme e rasteve të vjedhjes së identitetit dhe pajisjes së qasjes në vitin 2022, në krahasim me vitin 2021.

Po ashtu, në bazë të të dhënave, alarmuese është gjendja edhe në aspektin e thyerjes së sistemeve kopmjuterike.

Ndërsa cenimi i fshehtësisë së korrespondencës dhe i bazave të të dhënave, në aspetin e paraqitjes zyrtare është ulur dukshëm gjatë vitit 2002 krahasuar me vitin paraprak.

Nuk dihet numri i lëndëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit në lidhje me numrin e lëndeve në gjykata për rastet e krimeve kibernetike.

Sipas ekspertit Butrint Komoni, njëri prej problemeve është se sistemet e drejtësisë në Kosovë, apo gjykatat konkretisht nuk janë të pregatitura për t’i trajtuar siç duhet këto lëndë, sepse sipas tij, për gjykatësit apo prokurorin kjo fushtë në masë të madhe mbetet e panjohur,

Kur dikush e sulmon gazetën Nacionale përshembull, prokurori nuk e kupton si fushë, është e pakuptueshme edhe për mekanizmat e drejtësisë, nuk e dinë çka janë këto IP-ja, qysh funksionon?!”, spjegon Komoni.

Madje, sipas tij edhe institucionet në Kosovë nuk do të duheshin të jenë të decentralizuara nga njëra tjetra lidhur me këtë çështje.

Sistemet e institucioneve të Kosovës janë të decentralizuar njëa prej tjetrës, dhe nuk kanë kontroll mbi njëra tjetrën, apo nuk kanë politika që thojnë që kjo e dhanë duhet me u marrë prej qiti vendi të vetëm. Pse përshebull aplikacionet shtetetërore si ATK-ja nuk kanë shkëmbim të informacioneve me BQK-në, andaj ne mundemi me thanë që nuk punojnë institucionet mes vete në aspektin teknologjik apo në aspektin e sistmit të sigurisë kibernetike”, thotë ai.

Sipas Komonit, shteti e ka sfiduese edhe të angazhoj ekspert në këtë fushë, sepse fusha e kibernetikës krijon mundësi pakrahsimisht më të mëdha nëse punohet në sektorin privat.

I kam dëgju disa strategji që shteti me i trajnu disa të rinj, Ka qenë ideja me bo një akademi shtetërore që me u trajnu për mbrojtje e ata mandej me shku në FSK, po kush të rrinë me atë rrogë, me 600 euro. Me hy në sektorin privat unë jam i gatshëm me ja jep 1200 euro shembull. Edhe Amerika ka të tilla telashe”, thotë Konomi.

Mirëpo, përveç kësaj, në Kosovë tash e tre vite mungon edhe Strategjia Shtetërore për Siguri Kibernetike, e cila ishte aprovuar në vitin 2016 me një plan veprimi deri në vitin 2019, ku në cilësinë e kordinatorit për siguri kibernetike ishte caktuar ish-Zëvëndësministri i Punëve të Brenshme, Zafri Berisha.

Për Komonin, mungesa e kësaj strategjie është shumë problematike.

Përveç mungesës së strategjisë nacionale për siguri kibernetike, Kosova ende nuk ka ligj të përfunduar për siguri kibernetike i cili do të mundësonte të rregullonte një pjesë të madhe të problemeve në këtë fushë.

Butrin Komoni thotë mungesa e këtij ligji e penalizon edhe në punën e tij dhe kompanisë që ai drejton.

Kosova nuk ka ende ligj të Sigurisë Kiberentike. Mungesa e atij ligji që sa kohë sjell probleme me klientet prej jashtë, se ata thonë qysh po doni me na ofru shërbime kur ju nuk keni ligj për këtë punë, s’ki bazë ligjore. Por ne si kompani e kemi gjetë njëfarë rruge, ku e kemi hap filjalin në Angli po punën e delegojna në Kosovë”, thotë ai.

Edhe për ekspertin e sigurisë, Drizan Shala, njëra prej sfidave më të mëdha për të ardhmen në Kosovë mbetet siguria kibernetike.

Krimi kibernetik do të jetë një prej sfidave për institucionet e Republikës së Kosovës në të ardhmen e afërt. Republika e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë në krijimin e infrastrukturës ligjore për parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit kibernetik, por ende mbesin shumë sfida, sidomos në kuptimin teknik të përballimit të suksesshëm me këtë formë të krimit, që në Kosovë është fenomen relativisht i ri”, thotë Shala për Nacionale.

Për Shalën, këto sulme kryesisht ndodhin për hakmarrje dhe për përfitim monetary, teksa përmend llojet më të shpeshta të sulmeve kibernetike në Kosovë.

Ekzistojnë pesë lloje sulmesh kibernetike të cilat mund të jene të motivuara nga: Hakmarrja, kurioziteti, Përfitime monetare, Spiunimi, Siguria Kombëtare dhe Terrorizmi”, thotë Shala.

Lajme të ngjashme