Liria e ‘shtypur’ e shtypit: Sulmet që pushteti i bëri ndaj medieve gjatë këtij viti
Që nga marrja e pushtetit, qeveria Kurti nuk është se punët me media i ka pasur për “mashallah”.
Kjo pasi që tendenca e tyre për t’i mësuar gazetarët se si të raportojnë, është vërejtur dukshëm, sidomos muajve të fundit.
I pari i cili e kishte nisur këtë “gozhdim” të mediave, ishte burri i të parës së vendit, presidentes Vjosa Osmani.
Prindon Sadriu, mediat i kishte quajtur “Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale”.
E për këtë fjali të Sadriut, ishte pyetur nga gazetarët presidentja Osmani , e cila më pas i kishte larguar gazetarët nga zyra e saj ku ishte duke mbajtur takim me disa persona.
Pas tij, “gozhdimin” e kishte vazhduar shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, me fjali të ngjashme si ajo e Prindonit. Veçse Dalipi mediat i kishte përshkruar si “Kompani të Kriminalizuara”.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pyetjen e gazetares për punësimin e motrës së tij në një nga ministritë në vend, e kishte quajtur “budallallëk”.
Por, kur erdhi puna tek skandali i përfolur i ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishajt, presidentes Vjosa Osmani i kishte penguar mënyra se si mediat kishin raportuar. Ajo kishte thënë se “është për keqardhje që ju (mediat) konstatoni një gjë të tillë për ambasadorin pa u konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë”.
Pikërisht kur shënohet Dita e Lirsë së Medias, nga Asociacioni i Gazetarëve thanë se rrallë ndodh që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave.
“Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”, tha kryetari i bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha në një konferencë për media.
Tutje ai shtoi se në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.
Nga AGK, në një përgjigje për Nacionalen thonë se siguria e gazetarëve është më keq se sa ka qenë viteve të fundit.
“Që nga viti 2019 e deri më tani, numri i rasteve të sulmeve, kërcënimeve e ngacmimeve në drejtim të gazetarëve, ka shënuar ngritje të madhe. Më 2019 janë raportuar 21 raste në AGK, më 2020 janë raportuar 24 raste, më 2021 janë raportuar 29 raste, ndërsa deri më tani për vitin 2022 janë raportuar 11 raste.”
Profesori Rrahman Paçarizi për gazetën tonë tha se gazetarët ketë vit kanë qenë në krye të detyrës dhe e bukura është se kanë vazhduar të raportojnë siç nuk i pëlqen pushtetit. Por, ai qasjen e pushtetit me gazetarët më shumë e sheh si mungesë të dijës sesa si një çasje armiqësore.
“Këtë qasje të pushtetit më shumë e shoh si një mungesë e dijes dhe e përvojës me mediet, sesa si një qasje armiqësore. Mendoj se problemi kryesor i raportit të qeverisë me medien është njëfarë bojkoti që qeveria u bën medieve që në njërën anë është gardë e ngritur e pushtetit për të mos u përballur me kritikën publike”, tha Paçarizi.
Ai tutje thotë se qeveritë e Kosovës kanë vuajtur për të pasur një ministri të informimit.
“Nuk janë të parët e as të fundit që synojnë me e mësu medien se si duhet të sillet ajo. Duket sikur qeveritë e Kosovës kanë vuajtur për ta pasur një Ministri të Informimit e cila do t'i orientonte mediet se si të raportojnë e për çka të raportojnë”, ka thënë ai.
Çfarë thotë raporti i këtij viti i Reporterëve pa Kufij për Kosovën?
Duke i theksuar të gjitha këto deklarata të cilat synim kishin ndaljen e lajmeve të cilat nuk i pëlqenin qeverisë, nuk pritet që raporti i sivjetshëm i Reporterëve pa Kufij të sjellë rezultate shumë të mira. Anipse krahasuar me vitin e kaluar kur Kosova ishte e renditur në vendin e 78, këtë vit është ngritur në renditje, duke dalë e 61-ta.
Por, përkundër kësaj, raporti thekson se: “Edhe pse profesioni i gazetarit respektohet nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë shpesh viktima të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjete sociale dhe akuzohen padrejtësisht se “bashkëpunojnë me armikun”. Një retorikë e tillë bëhet nga grupet politike dhe fetare.”
Tutje në këtë raport ka shkruar se: “Gazetarët rregullisht sulmohen politikisht, janë të targetuar me padi SLAPP, Gjykatat dështojnë t’i dënojnë sulmuesit e gazetarëve etj…”

Edhe raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, i cili ishte publikuar disa javë më parë, nuk kishte sjellë lajme të mira për gazetarinë në Kosovë.
DASH, kishte listuar problemet me të cilat janë ballafaquar mediat, e ku ndër to ishte edhe vështirësia e marrjes së informacioneve nga Qeveria dhe institucionet publike.
“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, thuhej në raportin e DASH-it.
Në indeksin e Lirisë së Shypit edhe këtë vit, si në vitin 2021, e para qëndron Norvegjia.
Përderisa, Shqipëria nga vendi i 83 sa ishte vitin e kaluar, këtë vit ka rënë në pozitën e 103.