Shefi i CIA-s ka shkuar në Moskë, raportojnë mediat amerikane - NACIONALE

Shefi i CIA-s ka shkuar në Moskë, raportojnë mediat amerikane

1 orë më parë

nga NACIONALE

Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara, John Ratcliffe, ka udhëtuar për në Moskë për të zhvilluar bisedime të panjoftuara, raporton mediumi amerikan, CBS.

Raportohet se Ratcliffe arriti në kryeqytetin rus më herët të martën. As Uashingtoni, as Moska nuk e kanë konfirmuar natyrën e vizitës apo personat me të cilët pritet të takohet ai, transmeton televizioni BBC.

Bisedimet sy më sy mes zyrtarëve të lartë amerikanë e rusë janë të rralla.

Të dhënat për pëcjelljen e fluturimeve konfirmuan se një aeroplan i madh ushtarak amerikan udhëtoi për në Rusinga ShBA-ja të martën, përmes Letonisë. Aeroplani u largua më vonë të martën.

BBC-ja i ka kontaktuar CIA-n, Shtëpinë e Bardhë dhe Pentagonin për t’u kërkuar komente.

Në pamje që janë publikuar në rrjete sociale shihet një aeroplan transportues i tipit C-17 duke iu afruar aeroportit ndërkombëtar “Vnukovo” në Moskë.

Aeroplani ishte nisur nga Riga në orën 5 e 50 dhe dukej se kishte aterruar në kryeqytetin rus rreth orës 7, sipas të dhënave në uebfaqen “FlightRadar24”. Aeroplani u largua nga Moska pak para orës 16:00.

Në pamje të tjera që janë publikuar në rrjete sociale gjithashtu pretendohet se shfaqet një autokolonë diplomatike që po udhëtonte nëpër Moskë.

Ky udhëtim mendohet se është vizita e parë e Ratcliffe në Rusi si drejtor i CIA-s, edhe pse ai ka mbajtur kontakte me homologët nga fusha e inteligjencës në Moskë.

Ai ka luajtur rol në bisedimet për lirimin e shtetases ruso-amerikane, Ksenia Karelina, e cila ishte burgosur në Rusi për më shumë se një vit, pasi ishte akuzuar se i kishte dhënë mbështetje Ukrainës.

CIA ishte e përfshirë edhe në një marrëveshje të vitit 2024 për shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë, kur ishte liruar reporteri Evan Gershkovich./Nacionale

Lajme të ngjashme