Sulmi i radhës i pushtetit – Fitore Pacolli kërkon nga Qeveria e Kuvendi masa ndaj mediave - NACIONALE

Sulmi i radhës i pushtetit – Fitore Pacolli kërkon nga Qeveria e Kuvendi masa ndaj mediave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në pikë të ditës, në një seancë të Kuvendit, një deputete e pushtetit vendosi të dalë në foltore e të flas kinse për një raport për Parlamentit Evropian për Kosovën. Megjithatë, aty nuk u ndalua vetëm me konstatimet e raportit. Nisi të kërkojë veprime nga Qeveria e Kuvendit, ndaj mediave.

Këtë e ndërlidhi diçka me investimet e mëdha që sipas saj janë ndaj mediave, duke hedhur dyshime për financimin e kompanive mediale.

Pacolli duke shpejguar raportin e Parlamentit Evropian për Kosovën, ka thënë se aty janë përmendur edhe investimete në mediat dhe qëllimi i tyre, e që sipas Pacollit, janë qëllime biznesore dhe të shantazhit politik.

“Një gjë shqetësuese që është përmendur në rezolutën e fundit dhe që nuk është përmendur viteve të mëparshme është se viteve të fundit janë vërejtur investime të mëdha private në media, përmes të cilave është krijuar mundësia e ndërhyrjes dhe ndikimit në disa mediume kryesore dhe në ato online të cilat po përdoren për qëllime biznesore dhe shantazh politik”, ka thënë.

Ajo ka kërkuar që Qeveria dhe Kuvendi të marrin masa ndaj mediave.

“Këtu kërkojmë vëmendjen e Kuvendit dhe Qeverisë që të marrin masa dhe të kuptojmë më shumë se çfarë po ndodh me funksionimin e mediave, me transparencën dhe identifikimin e pronësisë së mediumeve”, u shpreh deputetja Pacolli.

“Rezoluta mirëpret emrimin e bordit të ri të RTK-së”, ka thënë tutje ajo.

Madje, sikur të mos i mjaftonin këto deklarata skandaloze, Konjufca ia dha edhe disa minuta shtesë për ta vazhduar fjalimin e saj, që shumëkush po e cilëson skandaloz.

Shumë reagime

Me të parë këtë deklaratë, kanë nisur reagimet nga pronarët e mediave, e gazetarët e njohur në Kosovë.

Sipas Ilir Mirenës, sot në Kuvend nuk ka folur Fitore Pacolli, por regjimi i Albin Kurtit.

“Nuk ka fol Fitore Pacolli, ka fol regjimi i Kurtit. Kjo vetem ka lexu ate qe ia ka dhene partia. Faqen e shpifjve dhe lajmeve te rrejshme qe e menaxhon vllau yt, “me kryeministrin” qysh po ju shkon? E facebook’un, instagramin, youtube’in, tiktok’un, twitter’in, a doni me provu me i ndalu si disa ne Rusi e Kine?”, ka shkruar pa ndërhyrje Ilir Mirena.

“Duke kerkuar fajtorin tek mediat dhe duke sulmuar ato, kjo nuk thote asgje per mediat, kjo thote shume per krizen, perçarjen dhe panikun qe iu ka perfshi, ne parti, ne Qeveri e ne grup parlamentar. Edhe Donald Trump lufte te madhe iu pat shpall mediave, shante e ofendonte gazetaret live ne konferenca per media, por…😊”, thuhet më tutje në postim.

Një reagim po aq të ashpër, e ka bërë edhe Parim Olluri.

“Qe njeri kujt duhet me i thane Mimoza Kusari: Mos fol ne parlament. Jo Jahja Kokes. Ai po e argeton masen. Nuk ka ide te rrezikshme. Ngojeni qysh nje deputete qe jeton ne nje shtet demokratik flet kunder mediave si me qene zyrtare e Korese se Veriut, Bjellorusise, Rusise apo Kines. Shko more ne vende diktatoriale e shprehe kete talent. Kjo logjike nuk ka vend ne Evrope”, ka shkruar Olluri.

Kurse, Berat Buzhala e ka krahasur Fitore Pacollin me Lenka Çukon.

“Shihe kete Lenka Çukon, qe e ka me vella te vetin ate faqen “me kryeministrin” per te cilen faqe ka reagu krejt komuniteti nderkombetar, koka çu ne Kuvend me bo thirrje mi kontrollu mediat. Ah, t’ish kane viti 1945, lokacioni ne Tirane”, ka shkruar Buzhala në facebook.

Edhe juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar ndaj deklaratës së depuetetës së VV-së, Fitore Pacolli.

Ajo i ka ofruar trajnim deputetes Pacolli për të mësuar mënyrën e rregullimit të mediave.

Ofroj trajnim për deputeten Fitore Pacolli rreth rregullimit dhe vetë-rregullimit të mediave.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sulmet e pushtetit ndaj mediave

Që nga marrja e pushtetit, qeveria Kurti nuk është se punët me media i ka pasur për “mashallah”.

Kjo pasi që tendenca e tyre për t’i mësuar gazetarët, se si të raportojnë, është vërejtur dukshëm, sidomos muajve të fundit.

I pari i cili e kishte nisur këtë “gozhdim” të mediave, ishte burri i të parës së vendit, presidentës, Vjosa Osmani.

Prindon Sadriu, mediat i kishte quajtur “Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale”.

Katër sulmet e Prindon Sadriut ndaj mediave | Paparaci

E për këtë fjali të Sadriut, ishte pyetur presidentja Osmani nga gazetarët, e cila më pas i kishte larguar gazetarët nga zyra e saj ku ishte duke mbajtur takim me disa persona.

Pas tij, “gozhdimin” e kishte vazhduar shefi i stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, me fjali të ngjashme si ajo e Prindonit. Veçse Dalipi mediat i kishte përshkruar si “Kompani të Kriminalizuara”

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pyetjen e gazetarës për punësimin e motrës së tij në një nga ministritë në vend, e kishte quajtur “budallallëq”.

Por, kur erdhi puna tek skandali i përfolur i ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishajt, presidentës Vjosa Osmani i kishte penguar mënyra se si mediat kishin raportuar. Ajo kishte thënë se “është për keqardhje që ju(mediat) konstatoni një gjë të tillë për ambasadorin pa u konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë”.

Lajme të ngjashme