“Kobra” student, i varfër, beqar - arsyetimet banale që gjyqtarët përdorën për ta liruar Dibran Hoxhën
Dibran Hoxha, i njohur përgjithësisht si “Kobra”, tashmë gjendet prapa grilave si i dyshuar për vrasje. Por “Kobra” kishte një histori të gjatë të problemeve me ligjin. Ndonëse kishte një të kaluar kriminale, i dënuar me plotë 17 herë, siç shkruan Kallxo, Hoxha e menaxhonte lirshëm biznesin e tij “Kobra City” në Prizren.
E mosprivimi nga liria, përkundër krimeve të përsëritura, erdhi si pasojë e dënimeve të buta që gjyqtarët e Prizrenit i shqiptuan atij. Madje, asnjëherë nuk u morën përbazë të bëmat e tij kriminale në të kaluarën.
“Rrahje, armë pa leje, lëndime të rënda trupore, shmangie tatimore, vjedhje rryme, dëmtim i vulave zyrtare, dëmtim i pasurisë së huaj e kanosje, janë veprat penale për të cilat ishte dënuar ndër vite Dibran Hoxha.” – shkruan Kallxo.com.
Edhe më banale janë rrethanat lehtësuese të përmendura në aktgjykimet e nxjerra nga Gjykata e Prizrenit.
48 rrethana lehtësuese i përmenden z. Hoxhës, ndërsa vetëm 5 të tjera përmenden si rrethana rënduese.
“Faktet se është student, ka sjellje korrekte ndaj gjykatës, ka rënë për herë të parë ndesh me ligjin, është i gjendjes së varfër ekonomike, është pajtuar me viktimën, është beqar, i papunë, është provokuar nga viktima, është penduar, e ka pranuar fajësinë, janë rrethanat të cilat janë marrë parasysh në shumicën e rasteve që janë gjykuar në Gjykatën e Prizrenit.” – shkruan media Kallxo.
Ani pse, në paraqitjet e tij publike, Kobra gjithnjë shihej se jeton një jetë luksi dhe madje ishte pronar i një biznesi, për gjykatën ai ishte i varfër e student.
Kush është "Kobra"?
Dibran Hoxhaj i njohur gjërësisht si "Kobra" është i dyshuari kryesor për vrasjen e një të riu nga Shqipëria, derisa një tjetër mbeti i plagosur nga të sht shtënat.
Në një episod të Prive, derisa prezantohet si "dikush e njeh për të mirë e shumëkush edhe për të keq", “Kobra” shihet duke dalë nga shtëpia me një stil që supozohet të jetë glamuroz, derisa është i rrethuar nga disa persona e vetura luksoze.
Derisa elaboron në "karrierën e tij të gjatë prej problematiku", Hoxhaj shprehet: "Njerëzit flasin gjithçka, është e drejta e tyne, por këto gjana (që është problematik) janë të vërteta. Mirëpo, i kanë ekzagjëru aq shumë sa s'po muj me besu që a jom edhe unë ai person për të cilin po flasim".
Përndryshe, ai është pronar i lokalit "Kobra City" në Prizren - ku raportohet se filloi sherri që përfundoi me tragjedi. I njëjti vend ku kishte fituar famë edhe kërcimtarja, sensacion për një kohë në rrjetet sociale, "Kallashi".
"Kobra" karakterizohet me një stil jetese luksi, ashtu siç e portretizon vazhdimisht veten në paraqitjet e tij publike, ndërsa pothuajse gjithmonë bartë në qafë një zinxhir të trashë të lidhur për një katrori të gjatë që duket të jetë goxha i rëndë.
Në paraqitjet e tij në TikTok, ai vazhdimisht shfaqet si person i përcjellur nga një grumbull personash tjerë, derisa zakonisht pamjet kapin atë duke dalë apo duke u futur në ndonjë lokal, ku kryesisht përfshihet edhe futja apo dalja nga veturat.


