Dy vjet të arrestuar, por pa gjykim – Çka duhet të dini për procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë - NACIONALE

Dy vjet të arrestuar, por pa gjykim – Çka duhet të dini për procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë

1 vit më parë

nga Besian Beha

Më 5 nëntor të vitit 2020, pak pas orës 15:00, nga selia e EULEX-it në Fushë Kosovë, katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u nisën drejt Hagës. Atje do ta nisnin një proces gjyqësor si të akuzuar për krime lufte në një aktakuzë të konfirmuar. Gjykim i cili edhe 2 vjet pas arrestimit ende nuk ka nisur. Megjithatë, më në fund ka një dritë në fund të tunelit. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të procesit që u zhvillua tash e dy vjet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u arrestua më 4 nëntor. Një ditë më pas, njëjtë u veprua edhe me tre ish-udhëheqësit e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimit. Të katërt bashkë u nisën drejt Hagës pas një aktakuze të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Thaçi e të tjerët, akuzohen për krime të luftës.

Procesi gjyqësor që planifikohej të mos vonohej shumë, në fakt nuk ka nisur ende. Aktakuza u ndryshua, u plotësua, u ndryshua sërish, dhe tashmë duket se gjithçka është gati që një proces gjyqësor të fillojë në fillimin e vitit 2023.

Gazeta Nacionale përmes këtij teksti sjell të përmbledhur gjërat më të rëndësishme që duhet të dini për gjykimin që po zhvillohet në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Për çka po akuzohen?

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, që nga nisja e gjykimit, pritet të ballafaqohen me disa akuza që përfshijnë krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Ndaj tyre rëndojnë gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit, të cilat janë: Përndjekje, Burgosje, Akte të tjera çnjerëzore, Torturë, Vrasje e Paligjshme dhe Zhdukje me Forcë e Personave.

Katër akuza të tjera janë për krime lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, Trajtim mizor, Torturë, Vrasje e Paligjshme.

Për secilën nga këto pika, ish-udhëheqësit e UÇK-së ishin deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre të para më datë 9 nëntor 2020.

Në paraburgim, por pa gjykim

Për 2 vjet me radhë që nga koha e arrestimit, katër ish-krerët e UÇK-së po vazhdojnë të jenë në paraburgim. Të gjitha kërkesat e tyre për lirim me kusht, qoftë edhe në arrest shtëpiak, madje edhe në vende të treta (pra jo në Kosovë), janë refuzuar.

Në mesin e shteteve p.sh që ofruan garanci për ta siguruar arrestin shtëpiak të Hashim Thaçit ishte Turqia.

Megjithatë, si në vendimin e shkallës së parë, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit në Hagë, rezultati ishte i njëjtë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi mbetën në paraburgim. Nuk ndryshuan as arsyet që ishin të gjitha të paraqitura nga Prokuroria: rreziku i ikjes, ndikimi në dëshmitarë, dëmtimi i provave, fuqia e tyre politike në Kosovë dhe arsyetime të ngjashme.

Në anën tjetër, përgjatë gjithë kësaj kohe që ata po qëndrojnë në paraburgim, procesi ende nuk ka nisur. Sipas paralajmërimeve të fundit, edhe zyrtarisht gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të fillojë në fillimin e vitit 2023. Kjo i ishte konfirmuar Nacionales edhe nga Gjykata Speciale.

“Megjithatë, gjyqtari i procedurës paraprake ka theksuar në një vendim publik se ai ka parashikuar që dosja e lëndës mund të jetë gati për t'iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit që do të thotë se gjykimi mund të fillojë gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për gazetën Nacionale.

Aktakuza u plotësua me lokacione të reja

Para 5 muajve, Gjykata Speciale kishte aprovuar ndryshimin e aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Në aktakuzë ishin shtuar lokacione të reja ku pretendohej se janë kryer krime të luftës. U shtua Budakova, Semetishti dhe Konvikti i Gjilanit.

Budakova dhe Semetishti janë dy lokacionet ku Prokuroria e Hagës po pretendon se janë kryer arrestime, vrasje e tortura nga ish-pjesëtarët e UÇK-së. Në anekset e reja të akuzave që rëndojnë mbi Thaçin dhe të tjerët, pjesa më e madhe e detajeve janë të redaktuara. Pra, sekrete për publikun e gjerë. Mirëpo, në pjesët e pakta që janë publikuar, ofrohen rrëfime të pretenduara për disa shtëpi të cilat janë shfrytëzuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së për kryerjen e krimeve të luftës.

Megjithatë, me këtë nuk u pajtuan në asnjë mënyrë avokatët mbrojtës. Ata kundërshtuan me disa parashtrime plotësimin e aktakuzës, por që pa sukses.

Aktakuza ishte ndryshuar sërish më vonë, por kësaj radhe në dëm të Prokurorisë. U kërkuan që të specifikohen emrat konkret të vendeve, kryesve të krimeve të pretenduara dhe detaje të tjera.

Kohëzgjatja e gjykimit

Cilido nga juristët e avokatët vendorë e ndërkombëtarë që ka dhënë intervista për gazetën Nacionale përgjatë muajve, ka bërë të ditur se procesi mund të zgjasë nga 3 deri në 5, ose më së shumti 7 vjet. Kjo për shkak të numrit të madh të provave, dëshmitarëve, dhe kohës që ka kërkuar Prokuroria ta prezantojë vetëm pjesën e saj.

Prokurori Jack Smith ka kërkuar 1 mijë e 863 orë që ta paraqesë çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kjo nënkupton që procesi gjyqësor të zgjasë afërsisht 10 vjet. Më vonë, disa dëshmitarë u hoqën, e koha u zvogëlua paksa.

Në rastin e Sllobodan Millosheviqit, Prokuroria përdori gjithsej 360 orë për të paraqitur provat e saj, që përfshinte edhe pyetjet e bëra nga mbrojtja. Për gjykimin e Nikolla Shainoviq, në Tribunalin e Hagës, Prokuroria kishte shpenzuar 166 orë, ose rreth 10 muaj kohë. Për gjykimin e kroatit Jadranko Prliç, Prokuroria kishte shpenzuar 296 orë, ose 1 vit e 10 muaj kohë.

E në anën tjetër, edhe mbrojtja ka bërë të ditur se i duhen së paku 2 vjet për ta paraqitur kohën e saj. Duke mos harruar që varësisht nga vendimi, procesi mund të shkojë edhe me ankesa në shkallën e dytë në Gjykatën e Apelit.

Procesi i viktimave

Përgjatë gjithë kësaj kohe, ka vazhduar edhe procesi i aplikimit të viktimave të cilat pretendojnë se kanë qenë subjekt i krimeve të pretenduara të luftës nga UÇK-ja. Gazeta Nacionale ka raportuar në vazhdimësi për këtë.

Në raportin e nëntë të publikuar pak ditë më parë, Zyra për Viktimat kërkoi që të pranohen 11 persona që kanë aplikuar e 8 të refuzohen. Në raportin e tetë të publikuar ditë më parë gjithashtu, u kërkua të pranohen 39 viktima, gjashtë u refuzuan.

Një tjetër raport ishte përpiluar para pak muajve. Gjyqtarit i ishte kërkuar që 30 persona të pranohen me këtë status, e 20 të refuzohen.

Për të gjitha kërkesat e fundit, tashmë është në dorën e gjyqtarit të marrë vendimin, që zakonisht është tërësisht i ngjashëm me kërkesën e Zyrës për Viktimat.

Diplomatët dëshmojnë pro-Thaçit

Madeline Albright dhe Richard Hoolbroke, ishin dy zyrtarët e lartë që planifikohej të dëshmonin në rastin ndaj Hashim Thaçit. Por, vdekja e tyre e pamundësoi një gjë të tillë. Si rezultat, avokati i Thaçit ka kërkuar që 8 diplomatë të lartë për shkak të moshës së shtyrë, të japin dëshminë e tyre menjëherë.

Këta diplomatë janë: Gjenerali Wesley Clark – Komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë dhe komandant i përgjithshëm i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në majin e vitit 2000. Jock Covey – Zëvendës i Parë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) nga viti 1999 deri më 2001. Michael Durkee – Këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë (SACEUR) Clark, 1998-1999. Daan Everts – Shef i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Shqipëri dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë më 1999. Bernard Kouchner – Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), korrik 1999 deri në janar të vitit 2001 Ëilliam Ëalker – Shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së nga 17 tetori 1998 deri në mesin e qershorit 1999

Edhe kjo temë, do të jetë vendim i rëndësishëm që do ta marrë së shpejti gjyqtari i procedurës paraprake.

Kritikat nga avokatët e juristët

Për procesin e zhvilluar deri më tani, kritika kanë pasur jurist e avokatë vendor e ndërkombëtarë. Në intervista të ndryshme për gazetën Nacionale, ata kritikonin vonesat në nisjen e gjykimit, vonesat në nxjerrjen e materialeve nga Prokuroria, mos-lirimin me kusht për të pandehurit e tjerë.

Avokatët si Michael Karanas, Michael O’Reilly e jurista Nedenka Tromp, kanë pasur kritika edhe për transparencën dhe vërejtje se mund të ketë edhe ndikime politike.

Deri më tash, Nacionale ka raportuar se Gjykata Speciale ka shpenzuar mbi 275 milionë euro.

Një proces që nisi më 5 nëntor 2020 me arrestimin e udhëheqësve të Ushtrisë, Çlirimtare të Kosovës, ende as nuk ka nisur. Drita në fund të tunelit duket në fillimin e vitit 2023. Një proces që pritet të zgjasë së paku 5 vjet.

Lajme të ngjashme