Intensifikohet procesi: Paraqiten edhe 19 viktima në gjykimin ndaj Thaçit, tetë refuzohen - NACIONALE

Intensifikohet procesi: Paraqiten edhe 19 viktima në gjykimin ndaj Thaçit, tetë refuzohen

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Disa ditë pasi u prezantua raporti i tetë i Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, viktima të reja të pretenduara janë paraqitur në këtë proces. Nga 19 që kanë aplikuar në raportin e nëntë të kësaj zyre, 11 është rekomanduar të pranohen e tetë të refuzohen. Nacionale e ka parë raportin dhe sjell detaje.

Edhe 11 viktima të reja pretenduese pritet t’i shtohen procesit ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Kjo pasi Zyra e Viktimave në Gjykatën Speciale ka kërkuar që 11 nga aplikantët të pranohen e 8 të tjerë të refuzohen. Këta të fundit thuhet nuk kanë arritur të dëshmojnë mjaftueshëm se kanë qenë viktimë e krimeve të pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoës.

Viktimat edhe në këtë raport ndahen në viktima direkte ose indirekte, varësisht nga pasojat që pretendohet se kanë pasur, transmeton Nacionale.

“Viktimat e drejtpërdrejta pretendojnë se kanë pësuar dëme si rezultat i ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës, siç përshkruhet në formularët e aplikimit. Zyra vlerësoi nëse llojet e dëmit janë përshkruar mjaftueshëm në detaje dhe janë pasojë e krimeve të supozuara”, thuhet në raport.

“Viktimat indirekte pretendojnë se kanë pësuar dëme si rezultat i persekutimit, ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës, zhdukjes me forcë dhe vrasjes së një anëtari të familjes. Me përjashtim të Viktimës-254/06 dhe Viktimës-266/06, të gjithë aplikantët ofruan dokumentacionin mbështetës të lidhjes farefisnore”, thuhet më tej në raport.

Për gjithë raportin, tashmë vendimi është në duart e gjyqtarit të procedurës paraprake, që deri më tash, gjithëmonë ka vendosur sipas rekomandimit të Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave.

Cilat viktima të pretenduara u pranuan?

11 viktimat e pretenduara që janë rekomanduar të pranohen, janë viktima pretenduese direkte ose indirekte të krimeve të luftës. Në raportin e zyrës, duke u ruajtur konfidencialiteti, jepen detaje për secilin prej tyre.

“Parashtruesi Viktima-247/06 pretendon se është viktimë indirekte e zhdukjes me forcë dhe ndalimit të paligjshëm të një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se ishte dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëm mendor dhe material. Aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion mbështetës”, thuhet në raport.

E detajet janë edhe në rastet kur viktimat pretendojnë se janë viktimë direkte e krimeve të pretenduara të UÇK-së.

“Parashtruesi Viktima-251/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar gjatë periudhës përkatëse. Aplikuesi pretendon se ka pësuar lëndime fizike dhe mendore dhe ka paraqitur dokumentacionin mbështetës”, thuhet në raport.

“Parashtruesi Viktima-252/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar gjatë periudhës përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material. Aplikanti ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës”, thuhet më tej aty.

Në disa raste, viktimat e pretenduara, kur thonë se janë viktimë indirekte, janë edhe anëtarë nga e njëjta familje, sikur në këtë rast:

“Aplikantët Viktima-254/06 dhe Viktima-259/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes me forcë të një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja. Ngjarjet e përshkruara mund të lidhen me një nga vendet e krimit në aktakuzën e Ndryshuar të konfirmuar gjatë periudhës përkatëse. Ata treguan se nuk kishin ndonjë dokumentacion mbështetës”, thuhet në raport, transmeton Nacionale.

Arsyetime të ngjashme janë ofruar edhe për personat e tjerë që janë në mesin e 11 viktimave për të cilat është kërkuar të pranohen.

Viktimat që u refuzuan

E në këtë raport, tetë persona janë refuzuar të pranohen si viktima, pasi nuk kanë arritur të dëshmojnë. Për këtë, zyra jep disa detaje.

“Aplikuesi viktima-253/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e trajtimit mizor dhe torturës në territorin e Kosovës brenda periudhës së aktakuzës. Ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me ndonjë vend paraburgimi siç specifikohet në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëmtim mendor dhe ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës”, thuhet në raport.

“Aplikantët Viktima-255/06 dhe Viktima-256/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit të një anëtari të ngushtë të familjes në territorin e Kosovës brenda periudhës së aktakuzës. Ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me akuzat siç specifikohen në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar. Aplikuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata treguan se nuk kishin ndonjë dokumentacion mbështetës”, thuhet më tej aty.

“Aplikantët Viktima-257/06 dhe Viktima 258/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes dhe vrasjes me forcë të një anëtari të familjes në territorin e Kosovës. Ngjarjet e përshkruara bien jashtë fushëveprimit kohor të akuzave të aktakuzës së ndryshuar të konfirmuar. Aplikuesit pretendojnë se kanë pësuar dëmtime fizike, mendore dhe materiale. Ata treguan se nuk kishin asnjë dokumentacion për dëmtimin e pësuar”, thuhet në një tjetër rast.

Pak ditë më parë gazeta Nacionale ka raportuar detaje për raportin e tetë të Zyrës së Viktimave. Aty janë pranuar 39 viktima, kurse gjashtë janë refuzuar.

Lajme të ngjashme