Gjithçka që duhet të dini për Gjykatën Speciale - NACIONALE

Gjithçka që duhet të dini për Gjykatën Speciale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tetë persona të arrestuar në katër procese të ndara gjyqësore. Ky është bilanci që deri më tani kanë Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Ajo që njihet si Gjykatë Speciale ka shpallur edhe aktgjykimin e parë në rastin e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt të cilët u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim. Por, çka është Gjykata Speciale? Me cilat raste dhe për çfarë kohe merret? Si u krijua? Gazeta Nacionale sjell këtë përmbledhje.

Çka është Gjykata Speciale?

Gjithçka nisi me një libër të ish-prokurores së Hagës, Carla del Ponte. Kjo e fundit e përmendte si mundësi se ish-pjesëtarë të UÇK-së të kenë kryer trafikim organesh gjatë kohës së luftës. Kjo nuk kaloi pa vëmendje nga shteti rus.

Disa muaj pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi se pavarësia e Kosovës ishte në pajtim me standardet ndërkombëtare, një deputet rus në Këshillin e Evropës kërkoi që pretendimet e Del Pontes të hetohen. Për këtë, u angazhua ish-senatori zviceran, Dick Marty. Ky i fundit e hartoi një raport të detajizuar ku më së shpeshti përmendej emri i Hashim Thaçit.

Nga raporti i Dick Martyt, në vitin 2011, Bashkimi Evropian formoi Task Forcën Hetimore Speciale për kryerjen e një hetimi të pavarur. Në krye të këtij misioni ishte emëruar, Clint Williamson.

Nё verёn e vitit 2014, kjo Taskë Forcë bëri të ditur se nuk kanë arritur të gjejnë prova për trafikim organesh. Megjithëse, thanë se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash për çështje të tjera të krimeve të luftës. Pёr shqyrtimin e kёtyre pretendimeve ishte i nevojshёm krijimi i njё institucioni tё pёrshtatshёm pёr procedimin e duhur gjyqёsor.

Pas disa tentativave radhazi, Gjykata Speciale ishte miratuar në gushtin e vitit 2015. Kjo nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese që ishin miratuar nga vetë deputetët.

Disa vjet më pas, një tentim për ta shfuqizuar u ndërmorr nga PDK-ja, AAK-ja e Nisma, por që tentimi dështoi pasi që një gjë të tillë nuk e përkrahën Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje. Pati presion të madh edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Gjykata Speciale në Hagë ka shkallën e parë, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Kushtetuese dhe Avokatin e Popullit të saj. Pra, që nuk ka asnjë ndërlidhje me institucionet e njëjta në Kosovë. Bashkëpunimi i tyre madje, llogaritet vetëm formal. Specialja mëbshtetet nga vendet e Bashkimit Evropian, dhe shtetetet e tjera kontribuese si Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia e Amerika. Nacionale ka raportuar se deri më tash, Specialja ka shpenzuar mbi 275 milionë euro.

Kush është ftuar nga Gjykata Speciale?

Në fakt, ftesat nisën tek pas vitit 2018. Mijëra ish-pjesëtarë të UÇK-së u ftuan për t’u intervistuar, disa në cilësinë e dëshmitarëve, e disa të të dyshuarve. Madje, kishte edhe të ftuar si dëshmitarë të dyshuar. Një term jo shpesh i dëgjuar në drejtësinë vendore.

Në mesin e dëshmitarëve do të jetë edhe Nazim Bllaca, i njohur për deklaratat e tij se ka qenë pjesëtar i SHIK-ut, e ku ka pretenduar se janë kryer krime të ndryshme.

Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kanë ngritur alarmin se një pjesë e madhe e dëshmitarëve të ftuar nga Specialja, janë bashkëpunëtorë e madje edhe të dyshuar për kryerjen e krimeve të ndryshme në Kosovë. Kjo mbetet të shihet tek pas nisjes së gjykimit në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

Rastet e deritashme në Gjykatën Speciale

Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Hagës janë duke u trajtuar katër raste. Në njërin prej tyre, pra në rastin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, është shpallur aktgjykimi ku të njëjtit janë dënuar me nga 4 vjet e gjysmë burgim për pengim të drejtësisë, ndikim në dëshmitarë e zbulim të dokumenteve. Aktualisht, avokatët kanë bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Apelit të Speciales, pasi kanë vlerësuar se dënimi është i padrejtë.

Në fazën pothuajse të fundit, është edhe gjykimi ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Ai po akuzohet për krime lufte, torturë, vrasje të paligjshme e vepra të tjera penale që pretendohet se janë kryer nga Cali në fshatin Zllash. Ka përfunduar edhe dëgjimi i dëshmitarëve, dhe pasi të përfundojë afati për paraqitjen e provave nga mbrojtja, palët do të thonë fjalët e tyre përfundimtare, për t’i hapur rrugë më pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale në shkallën e parë.

Krejt në një fazë tjetër, është procesi kryesor ku po akuzohen disa nga figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, është ende në fazën paraprake. Mbrojtja ka kërkuar që gjykimi të nisë në këtë vit, por pas aktauzës së plotësuar me pika të reja, një gjë e tillë vlerësohet vështirë të ndodhë. Thaçi dhe të tjerët, ishin deklaruar të pafajshëm edhe për aktakuzën e parë, por edhe për pikat e reja që janë shtuar së fundmi. Mbrojtja vazhdimisht ka kritikuar Gjykatën se edhe gati 1 vit e gjysmë pas arrestimit, nuk po ua mundëson krerëve të UÇK-së lirimin nga paraburgimi.

Në fazën parprake është edhe procesi ndaj Pjetër Shalës, por që i njëjti mund të nisë shumë më shpejt se ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Problemet e evidentuara deri më tash

Kur kanë kaluar gati dy vjet nga arrestimet e para të Speciales, avokatët e licensuar dhe vetë mbrojtja e të akuzuarve në Hagë vazhdimisht kanë përmendur ankesa të shumta. Problemi i parë pretendohet të jetë vonesa në nxjerrjen e dokumenteve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, janë përmendur se do të ftohen më shumë se 300 dëshmitarë, për të cilët Prokuroria ka kërkuar më shumë se 5 vjet kohë t’i intervistojë. Vonesa në nisjen e gjykimit gjithashtu është vlerësuar si tejet problematike nga avokatët, aq sa edhe vonesat në përkthimin e materialeve në gjuhën shqipe.

Qysh në fillim të punës, familjarët e krerëve të UÇK-së gjithashtu kanë pasur ankesa në lidhje me vizitat, pasi që ato kanë qenë të ndaluara si pasojë e pandemisë COVID-19. Pas lejimit të tyre, veç nga familjarët, krerët e UÇK-së janë vizituar edhe nga liderë politikë e institucionalë.

Pagesat e nevojshme për mbrojtjen në Gjykatën Speciale

Shteti i Kosovës ka ndarë një buxhet në lidhje me mbrojtjen juridike të personave që po akuzohen nga Gjykata Speciale. Fillimisht 2.5 milionë, pastaj 7 milionë, dhe 13 milionë të tjera janë të ndara në buxhetin rezervë. Me këto mjete, Kosova paguan shpenzimet e avokatëve të krerëve të UÇK-së, të cilat deri më tash kanë kapur vlerën e 10 milionë eurove.

Veç avokatëve, në kuadër të divizionit që vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, shteti paguan edhe vizitat e familjarëve për në Hagë. Shpenzimet që shteti paguan janë për udhëtim, pra biletat, shpenzimet e ushqimit, dhe ato të fjetjes në hotelet e Hagës.

PYETJE TË RËNDËSISHME:

Çka gjykon Specialja?

Gjykata Speciale është krijuar për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Për shembull, Thaçi dhe të tjerët akuzohen edhe për mosveprim, për ndalime të paligjshme, torturë, përndjekje, burgosje e zhdukje me dhunë. Të gjitha këto, sipas Ligjit të Dhomave të Specializuara.

Në çfarë periudhe kohore?

Gjykata Speciale heton dhe gjykon krimet të cilat janë kryer, apo kanë filluar të kryhen në Kosovë, që nga janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000. Të gjitha krimet e pretenduara qëjanë kryer para janarit 98 ose pas 31 dhjetorit 2000, nuk hyjnë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale, dhe për këtë shpesh ka pasur paqartësi në Kosovë.

Kush i financon Dhomat e Specializuara?

Gjykata Speciale financohet nga vendet e Bashkimit Evropian, dhe shtetet e tjera kontribuese si: Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia e Amerika. Deri më tani, në 7 vjetët e fundit, për Gjykatën Speciale janë shpenzuar mbi 275 milionë euro, përfshirë edhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Si u krijua Gjykata Speciale?

Dhomat e Specializuara në Hagë janë krijuar me një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe BE-së, si dhe një amendamenti kushtetues. Ekzsiton edhe një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Holandës, ku parashihen lehtësimet në pajisjen me viza për të akuzuarit dhe familjarët, dhe detajet e tjera.

Deri kur ka mandat Gjykata Speciale?

Gjykata Speciale ka pasur mandat fillestar 5-vjeçar. Por mandati i saj vazhdon përderisa vetë Specialja, të mos e njoftojë Këshillin e Ministrave të BE-së se e ka përfunduar punën e saj. Edhe për këtë çështje ka pasur shpesh dilema nëse ka mandat Specialja, por që përderisa Kosova të mos marrë njoftim nga BE-ja, puna e Speciales vazhdon.

Çfarë stafi punon në Dhomat e Specializuara të Hagës?

Nё Dhomat e Specializuara dhe Zyrёn e Prokurorit tё Specializuar punojnё gjykatёs, prokurorё dhe punonjës ndёrkombёtarё, dhe selia e tyre ёshtё nё Hagё, Vendet e Ulëta (Holandё). Pjesa tjetër e stafit administrativ qëpunojnë atje, është e ndaluar të kenë shtetësi të Kosovës.

Lajme të ngjashme