E konfirmuar: Këta janë 8 diplomatët ndërkombëtarë që do të dëshmojnë pro Thaçit në Hagë - NACIONALE

E konfirmuar: Këta janë 8 diplomatët ndërkombëtarë që do të dëshmojnë pro Thaçit në Hagë

1 vit më parë

nga Besian Beha

Tetë diplomatë të lartë ndërkombëtarë pritet t'i japin dëshmitë e tyre pro ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit po akuzohet për krime lufte nga Dhomat e Specializuara. Avokati i Thaçit tashmë i ka bërë publikë emrat e këtyre diplomatëve, të cilët i ka siguruar gazeta Nacionale.

Me një kërkesë i ishte afruar avokati i Hashim Thaçit gjyqtarit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Hagës. Aty kërkonte që tetë diplomatë të lartë ndërkombëtarë të ftohen për dëshmi menjëherë, pasi janë në moshë të shtyrë dhe ka rrezik që të vdesin, siç kishte ndodhur me ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.

Tashmë emrat e këtyre diplomatëve janë të konfirmuar. Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, e ka dorëzuar në adresën e gjyqtarit listën me emra. Gazeta Nacionale e ka siguruar këtë dokument.

Diplomatët që do të dëshmojnë pro ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë:

Steve Bennett – Drejtor i Departamentit të OSBE-së për Arsimim dhe Zhvillim të Policisë, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, 1999-2006.

Emri i një diplomati është i redaktuar

Gjenerali Wesley Clark – Komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë dhe komandant i përgjithshëm i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara nga viti 1997 deri në majin e vitit 2000.

Jock Covey – Zëvendës i Parë i Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) nga viti 1999 deri më 2001.

Michael Durkee – Këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë (SACEUR) Clark, 1998-1999.

Daan Everts – Shef i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, Shqipëri dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë më 1999.

Bernard Kouchner – Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë (UNMIK), korrik 1999 deri në janar të vitit 2001

William Walker – Shef i Misionit Verifikues të Kosovës të OSBE-së nga 17 tetori 1998 deri në mesin e qershorit 1999

Në dokumentet e tjera të parashtruara, mbrojtja ka dhënë detaje të tjera në lidhje me këta diplomatë, moshën dhe funksionet e tyre.

Avokati i Thaçit e ka treguar rëndësinë e madhe që e kanë dëshmitë e këtyre diplomatëve.

“Siç është nënvizuar në detaje në anekse, këta 8 dëshmitarë do të dëshmojnë për çështje që janë thelbësore në rastin kundër z. Thaçi, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, rolin e z. Thaçi në ngjarjet që janë objekt i aktakuzës. Kjo përfshin strukturën, organizimin ose mungesën e tyre, të grupeve të ndryshme të individëve që përbëjnë UÇK-në, dhe atyre personave që e konsiderojnë veten si UÇK, por që në asnjë mënyrë nuk kanë pasur lidhje me UÇK-në; Shkalla e autoritetit të z. Thaçi brenda dhe mbi UÇK-në ose mungesa e saj; dhe interesin e tij për të punuar dhe për të siguruar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për të kërkuar një zgjidhje politike të konfliktit, dhe kundërshtimin e tij ndaj dhunës ndëretnike dhe vrasjeve hakmarrëse që kërcënonin atë mbështetje; autoriteti ose jo i Shtabit të Përgjithshëm mbi UÇK-në në terren dhe kapaciteti ushtarak i kësaj të fundit; çmilitarizimi dhe çarmatimi i UÇK-së pas luftës duke përfshirë edhe rolin e Thaçit në këtë; dhe shkaqet dhe natyrën e organizuar, apo mungesën e saj, të dhunës në vitin 1999. Ata gjithashtu do të dëshmojnë për sfondin historik dhe politik të konfliktit dhe situatës pas konfliktit në Kosovë duke përfshirë konferencën e Rambujesë dhe pasojat e saj dhe rolin e z. Thaçi”- thuhet në parashtrimin që është parë nga gazeta Nacionale.

Siç thuhet në njoftim, secili nga këta tetë dëshmitarë “ka pasur kontakte personale me z. Thaçi, duke punuar me të dhe aktorë të tjerë të mëdhenj, vendës dhe ndërkombëtarë, për çështjet kryesore me të cilat ballafaqohen të gjithë gjatë kësaj kohe. Ata do t'i japin dëshmitë e tyre për z. Thaçi dhe do t'i përshkruajnë ndërveprimet e tyre me të, duke i përfshirë sjelljen, qëndrimet dhe sjelljen e tij gjatë periudhës së aktakuzës që janë relevante për akuzat kundër tij”- thuhet më tutje.

Rreziku nga vdekja e dëshmitarëve

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, e ka përsëritur kërkesën që ky parashtrim të pranohet dhe që këta tetë dëshmitarë të dëgjohen në sallën e gjykimit menjëherë, pasi ka rrezik që ata të vdesin.

“Shkurtimisht, para gjykimit, 8 dëshmitarët do të jepnin dëshmi të drejtpërdrejta në seancë të hapur në sallën e gjyqit të Dhomës së Specializuar të Kosovës në Hagë, para së paku njërit, por mundësisht edhe të tre anëtarëve të Trupit Gjykues (të caktuar nga Kryetari me ftesë të PTJ-së), në prani të të akuzuarit. Këta 8 dëshmitarë do të merren në pyetje kryesisht nga Mbrojtja, pasuar nga marrja në pyetje e mundshme nga mbrojtësi i të akuzuarve të tjerë, Prokuroria, mbrojtësi i viktimave dhe anëtarët/et e trupit gjykues sipas dëshirës”- thuhet në parashtrimin që e ka parë gazeta Nacionale.

“Të 8 dëshmitarët ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); dhe [REDAKTUAR]. Ata kanë bashkëvepruar me z. Thaçi si në nivel profesional dhe në disa raste edhe personal. Siç është detajuar më poshtë në paragrafët 35-36, ata të gjithë do të dëshmojnë për çështjet që janë thelbësore për rastin kundër z. Thaçi, duke përfshirë strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe rolin e z. Thaçi në të dyja; çmilitarizimi dhe çarmatimi i UÇK-së pas luftës duke përfshirë edhe rolin e Thaçit në këtë; dhe shkaqet dhe natyrën e organizuar, ose mungesën e saj, të dhunës në vitin 1999”- bëhet e ditur më tutje në këtë parashtrim të mbrojtjes.

Avokati e ka përmendur rrezikun e vdekjes së dëshmitarëve, duke i theksuar rastet e Madeleine Albright-it e Richard Hoolbroke-t.

“Të 8 dëshmitarët janë të moshës së shtyrë – nga 77 deri në 87 vjeç (siç u tha më lart) – dhe me shkallë të ndryshme shëndetësore. Idealisht, Mbrojtja do t'i thërriste këta 8 dëshmitarë në rastin e saj (në mbyllje të çështjes së Prokurorisë) dhe ata do të dëgjoheshin në të njëjtën mënyrë si të gjithë dëshmitarët e tjerë të thirrur nga Mbrojtja. Megjithatë, për shkak të moshës së tyre të shtyrë, ekziston një rrezik real që provat e tyre “mund të mos jenë të disponueshme më pas në gjyq”, ose të paktën në kohën që Prokuroria të mbyllë çështjen e saj dhe të fillojë çështja e Mbrojtjes, qoftë me vdekjen e individi për shkak të pleqërisë ose paaftësisë. Në të vërtetë, Mbrojtja vëren se tashmë ka humbur dy dëshmitarë të mundshëm: ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, e cila vdiq këtë vit në moshën 84-vjeçare dhe ish-diplomati amerikan, Richard Holbrooke, i cili vdiq në vitin 2010 në moshën 69-vjeçare. Këta shembuj tregojnë nevojën reale për të ruajtur provat e këtyre 8 individëve”- thuhet më tutje në parashtrim, transmeton Nacionale.

Keohe ka alarmuar se dëgjimi i këtyre dëshmitarëve është i domosdoshëm, pasi, bazuar në numrin e dëshmitarëve të Prokurorisë, ata nuk do të mund ta nisin paraqitjen e provave të tyre para fillimit të vitit 2025.

“Në çdo këndvështrim, siç u tha më lart, nuk ka gjasa që çështja e Mbrojtjes të fillojë përpara fillimit të vitit 2025. Deri në këtë kohë, të 8 individët e listuar më sipër do të jenë në të 80-at (shumë nga mesi deri në fund të viteve 80) ose, në rastin e William Walker-it, të 90-at e tij. Për më tepër, provat e tyre, siç janë paraqitur në paragrafët 35-36, janë disa nga më të rëndësishmet që Gjykata mund të presë të dëgjojë dhe sigurisht që janë të domosdoshme për mbrojtjen e z. Thaçi”- thuhet në parashtrim.

Njëri nga këta diplomatë, sipas mbrojtjes, rezulton të jetë edhe në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë. Sipas avokatit, do të ishte më mirë që dëshmitarët të dëgjoheshin fizikisht, por që nuk përjashtohet as mundësia e dëgjimit me video-lidhje.

Lajme të ngjashme