Intervistë | Avokati Musa: Gjykata Speciale ka nevojë për mbikëqyrje profesionale, jo politike - NACIONALE

Intervistë | Avokati Musa: Gjykata Speciale ka nevojë për mbikëqyrje profesionale, jo politike

1 vit më parë

nga Besian Beha

Avokati i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Skënder Musa, po e quan të domosdoshëm krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale. Megjithatë, sipas tij, ky mekanizëm duhet të jetë profesionalë, me gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë, e jo mekanizëm politik.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Musa punën e deritashme të Gjykatës Speciale e quan dështim total. Thotë se nuk ka aryse që edhe gati 2 vjet pas arrestimit, personat e akuzuar të mbahen në paraburgim.

Avokati Musa ka kritikuar edhe deklaratat e kryetares së Gjykatës Speciale, në lidhje me sondazhe. Avokati thotë se nuk është punë e Gjykatës të bëj matje të tilla.

INTERVISTA:

Nacionale: Si e komentoni seancën e fundit që u mbajt gjatë javës, ku avokatët e krerëve të UÇK-së, sërish patën ankesa për vonesat në nisjen e gjykimit?

Skënder Musa: Vonesat në nisjen e gjykimit po shihet qartë që po bëhen për shkak të neglizhencës, mos-punës dhe mos-profesionalizimit të Prokurorisë së Specializuar. Mos-dorëzimi i listave dëshmitarëve, provave shfajësuese të mbrojtjes, materialet e tjera që i posedon Prokuroria, paraqet shkelje të parimit që aplikohet në gjithë Evropën. Parimi i barazisë së armëve parasheh që secilën letër, material që e ka Prokuroria, është i obliguar t’ia dorëzojë mbrojtjes. Forma e dorëzimit të emrave të dëshmitarëve, paraqet shkelje të parimit të barazisë së armëve dhe pajisjes me shkresa të lëndës për të akuzuarit dhe mbrojtjen e tyre,

Nacionale: Kemi parë që është bërë një plotësim i aktakuzës. Sa e vështirëson punën e mbrojtjes në këtë rast, dhe a ndikon në vonesa për nisjen e gjykimit?

Skënder Musa: Në vonesën e gjykimit nuk do të duhej të ndikonte, sepse ajo nuk është një akuzë e re por është vetëm zgjerim i asaj aktakuze, dhe janë po të njëjtat prova, dhe nuk është dashur të merret si shkak për shtyerjen e gjykimit. Mirëpo duke e parë si poshkon procesi, Prokuroria mund ta vonojë procesin, sepse po shihet që prokurorët janë të interesuar me vonu procesin dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.

Nacionale: Si e keni parë pretendimin e mbrojtjes se gati 100 dëshmitarë janë anonimë. Sa ua vështirëon kjo punën avokatëve?

Skënder Musa: Dëshmitarët anonimë, mund të merren në pyetje edhe nga forma të tjera të komunikimit, që janë marrë në pyetje dëshmitarët e mbrojtur. Por dëshmitë e tyre nuk duhet të mbesin anonime. Emrat e tyre, apo pjesët e dukjes, mund të jenë të mbrojtura, në mënyrë që të garantohet jeta dhe siguria e dëshmitarëve dhe familjeve të tyre. Por, mund të them se nga ky proces nuk është i rrezikuar askush asnjë dëshmitarë, mirëpo me qëllim që ta paraqesin gjendjen më të rëndë, dëshmitarët e prokurorët kanë qejf që të thirren në dëshmitarë anonimë e të mbrojtur, për me paraqit rastin si të rrezikshëm.

Nacionale: Ka pasur një ide për një mekanizëm kontrolli apo mbikëqyrje që Kosova ta bëj për Gjykatën Speciale. A ka bazë ligjore që e mundëson këtë?

Skënder Musa: Jo bazë ligjore, por është obligim ligjor dhe kushtetues, në bazë të Kushtetutës, secila gjykatë dhe prokurori duhet ta ketë organin mbikëqyrës, psh në Kosovë gjykatat e kanë Këshillin Gjyqësor, e prokuroritë Këshillin Prokurorial të Kosovës. E kanë kryetarin e KGJK-së e Kryeprokurori i Shtetit. Unë mendoj që në këtë drejtim, Ministria e Drejtësisë, ajo që ka thënë për ta krijuar një mekanizëm mbikëyqrës, është mëse legjitime, sepse edhe në ligj parashihet formimi i një Këshilli me njerëz profesionalë, me gjyqtarët më eminentë të Evropës, kjo të bëhet në bashkëpunim me Bashkimin Evropian. E njëjta procedurë duhet të ndiqet edhe për formimin e një Këshilli Prokurorial, për prokurorët e Hagës, sepse kjo formë e zvarritjes së procesit nuk mund të justifikohet.

Nacionale: Si do të vepronte ky organ mbikëqyrës z.Musa?

Skënder Musa: Kur flasim për organ mbikëqyrës, duhet të flasim për organ profesional,i përbërë nga gjyqtarë e prokurorë, e nuk nënkupton që Gjykatën Speciale ta mbikëqyrin organet politike sepse është e palejushme, në radhë të parë me Kushtetutën e Kosovës, pastaj me ligjet e rregullta dhe Ligjin për Gjykatën Speciale që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo, praktika dhe zvarritja e procesit dhe mbajtja pa asnjë arsyetim në paraburgim, tregon qartë se duhet të ketë mekanizëm profesional si KGJK-ja dhe KPK-ja, që e mbikëqyrin punën e këtyre gjyqtarëve, sepse po shihen zvarritjet. Vera merret me 3 muaj pushim, dhe qytetarët janë në paraburgim. Kjo është edhe e papranueshme për vendet evropiane, sepse jemi në shekullin 21 dhe e drejta penale përveç që ka të bëj me vepra penale, është edhe e drejtë humanitare që duhet t’i respektojë të drejtat e të akuzuarve sipas Konventave Ndërkombëtare.

Nacionale: Kryetarja e Gjykatës Speciale tha se kanë bërë sondazhe që tregojnë se qytetarët e Kosovës i besojnë gjykatës. E në anën tjetër, sipas një sondazhi në Klan Kosova, 70% e qytetarëve nuk e dijnë as kush e krijoi Specialen. Çka do të thotë kjo?

Skënder Musa: Asnjë gjykatë nuk ka të drejtë të bëj sondazhe për punën e gjykatës. Ajo nuk është organ politike, që me mat punën e vet me sondazhe të qytetarëve. Specialja është krijuar me hetu krimet e supozuara nga raporti i Dick Martyt, dhe krime të tjera që kanë mundur të ndodhin. Kjo është në kundërshtim edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara, dhe me çdo rregullore të mundshme të Kosovës, por edhe me Konventat ndërkombëtare. Në mënyrë absolute, kjo është matje e gabuar dhe e kundërligjshme, sepse të arriturat e Gjykatës maten me performancë e punë të kryera. E kjo gjykatë nuk e ka kryer asnjë punë, përveç që e ka vazhduar paraburgimin e të akuzuarve. As Prokuroria nuk ka kryer asnjë punë. Sepse sipas rregullit, njëherë kryhen hetimet, e atëherë ka arrestime, sepse e ka prokurori lëndën e përgatitur. E jo si kanë vepruar këta që kanë kryer arrestime, e tash thonë ende nuk e kemi bërë selektimin e provave. Ligjet janë të qarta dhe në mënyrë absolute puna e Gjykatës nuk tregohet me sondazhe por me veprime juridike konkrete.

Lajme të ngjashme