Intervistë | Avokati Qerkini: Gjykata Speciale mund të kontrollohet, nëse anëtarësohemi në Këshillin e Evropës - NACIONALE

Intervistë | Avokati Qerkini: Gjykata Speciale mund të kontrollohet, nëse anëtarësohemi në Këshillin e Evropës

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Një ide që e ka dhënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, për krijimin e një mekanizmi kontrolli për Gjykatën Speciale, po del se është vështirë i realizueshëm në praktikë. Avokati i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Artan Qerkini, në një intervistë për gazetën Nacionale thotë se është vështirë të bëhen ndryshimet legjislative për ta kontrolluar Gjykatën.

Megjithatë, Qerkini thekson se mënyra më e mirë e mundshme për kontroll ndaj Gjykatës Speciale, është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Artan Qerkini e ka kritikuar Prokurorinë e Specializuar për vonesat në dorëzimin e materialeve, përderisa ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të akuzuarit të vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

INTERVISTA:

Nacionale:

Avokat, duket se pas shpalljes së dënimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Gjykata Speciale ka rënë në një qetësi. Fillimisht, sa mendoni se Gjykata e Apelit mund ta ndryshojë aktgjykimin ndaj krerëve të OVL-UÇK-së?

Artan Qerkini:

Jam i mendimit se ka bazë që Gjykata e Apelit ta ndryshoj vendimin e gjykatës së shkallës së parë, sepse z. Gucati dhe Haradinaj janë dënuar për një veprim të natyrës së njëjtë me 4 vepra penale, e që në rastin konkret del të mos jetë aplikuar parimi "ligji special përjashton ligjin gjeneral"

Nacionale:

Gjykata Speciale së shpejti shkon edhe në pushimet e verës, dhe sërish kemi rastin kryesor ndaj Thaçit dhe të tjerëve që gjykimi nuk ka nisur. A është vonuar Prokuroria pasi janë bërë gati 2 vjet nga arrestimet?

Artan Qerkini:

Jemi dëshmitarë të vonesave të prokurorisë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Prokuroria kishte deklaruar se do të jetë në gjendje që gjykimi të fillojë në qershor të vitit 2021, ndërsa tani jemi në qershor 2022 dhe ende nuk dihet se kur do të filloj shqyrtimi gjyqësor. Në këtë çështje penale parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm me gjasë do të shkelet.

Nacionale:

Plotësimi i aktakuzës me detaje të reja, sa e vonon procesin?

Artan Qerkini:

Ndryshimi i aktakuzës gjithsesi se e vonon procedurën penale. Pas këtij ndryshimi mbrojtja duhet të pajiset me prova të reja, përderisa ajo nuk ka pranuar ende provat nga akuzat fillestare. Mendoj se gjykata duhet të ushtrojë një kontroll efektiv mbi prokurorinë në mënyrë që të evitohet keqpërdorimi i autorizimeve nga ana e prokurorisë.

Nacionale:

Në bazë të proceseve që janë zhvilluar deri më tani, kur mund të nis gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së?

Artan Qerkini:

Sipas kësaj dinamike për mendimin tim gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të mund të fillonte në qershor të vitit 2023.

Nacionale:

Gjykata Speciale sërish ka refuzuar lirimin me kusht. A besoni se ka ende arsye që të arrestuarit të mbahen në paraburgim?

Artan Qerkini:

Nuk ka arsye që të pandehurit të mbahen ne paraburgim. Ata janë dorëzuar vullnetarisht prandaj nuk ka rrezik të arratisjes. Poashtu, rreziku i ndikimit në dëshmitarë nuk ekziston sepse dëshmitarët i kanë dhënë dëshmitë e tyre në fazën e hetimeve, e poashtu gjykata ka urdhëruar masa të shumta për mbrojtjen e tyre.

Nacionale:

E kemi parë një vizitë të kryeparlamentarit Konjufca në Hagë. Në këndvështrimin si avokat, si e komentoni një vizitë të tillë?

Artan Qerkini:

Edhe vizita e z. Konjufca është bërë në vazhdën e vizitave të krerëve të institucioneve të realizuara më herët. Besoj se çdo vizitë bartë një mesazh se institucionet shtetërore janë duke u kujdesur për pozitën e të akuzuarve. Nga vizita e z. Konjufca ka dalur edhe një iniciativë që të formohet një organ mbikëqyrës për Gjykatën Speciale edhe pse nuk e di se si është menduar të realizohet kjo iniciativë në praktikë.

Nacionale:

Është përmendur edhe mundësia e krijimit të një mekanizmi për mbikëqyrjen e Gjykatës Speciale. Në aspektin ligjor, a është e mundur një gjë e tillë?

Artan Qerkini:

Për të ndërtuar një mekanizëm të kësaj natyre duhet të kemi ndryshime legjislative. Nuk e di sa sa është reale të priten ndryshime të tilla. Mendoj se mënyra më e mirë për të kontrolluar ligjërisht punën e Gjykatës Speciale është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Me këtë anëtarësim të gjithë të akuzuarit do të kishin pasur mundësinë që pasi t’i shterin mjetet juridike në Gjykatën Speciale t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Jam i bindur se sikur të kishim qasje në Gjykatën Evropiane, kjo gjykatë tashmë do të kishte rrëzuar vendimet e Speciales për vazhdimin e paraburgimit, sepse të njëjtat nuk janë në harmoni me praktikën e GJEDNJ-së.

Lajme të ngjashme