Çudia e ditës: Sallahu e akuzon opozitën për ndërhyrje në drejtësi, pushteti s’i ndali për asnjë ditë sulmet brutale
Një seancë e sotme në Kuvend ku opozita po kërkon krijimin e një komisioni hetimor për rezerva shtetërore, ka bërë që të përfshihet edhe zv/ministri i vajit në tepsi, Blerim Sallahu. Vartësi i Albulena Haxhiut ka thënë se opozita po ndërhyn në drejtësi, përderisa i ka harruar sulmet e përditshme e brutale nga pushteti.
“Themelimi i komisionit hetimor për rezervat shtetërore është ndërhyrje brutale në sistemin e drejtësisë. Vazhdimësia e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë nga opozita përderisa kanë qenë në pushtet nuk duhet të vazhdohet edhe nga pozicioni aktual i opozitbërjes”, ka shkruar Sallahu.
Por, Sallahu duket se i ka harruar sulmet brutale që pushteti ka pasur ndaj sistemit të drejtësisë. Kryesisht prokurorisë. E kryesisht kur prokuroria arrestonte apo hetonte ndonjë zyrtar të pushtetit. Nacionale po ia rikujton Sallahut sulmet e tij dhe të kolegëve të tij të qeverisë këto sulme.
Sulmi pas arrestimit të Nagip Krasniqit
Ishte muaji prill kur kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, përfundoi në prangat e Policisë. Kjo pasi ai po dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dallavere me disa kontrata milionëshe.
E në vend që pushteti të distancohej nga kjo aferë e dyshuar korruptive, i madh e i vogël iu sulën Prokurorisë. Duke nisur nga kryeministri Kurti e ministrja Haxhiu, e deri te militantët e rrjeteve sociale.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një seancë të Kuvendit sulmonte brutalisht sistemin e drejtësisë. Blerim Sallahu aso kohe, “çele guri gojën”.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, kishte thënë Kurti.
E ajo që udhëheqë me drejtësinë, Albulena Haxhiu, sulmonte brutalisht Prokurorinë. Edhe ajo së pari për rastin e Nagip Krasniqit.
Madje, Haxhiu ka hyrë në teori konspirative duke thënë se prokurorët s’po kanë çka t’i bëjnë Kurtit, e po e hetojnë kryeshefin e KEK-ut e ambasadorin Berishaj.
“Tani ndryshe është ne nuk jemi të lidhur me Prokurorinë, ata qëllimshëm nuk i adresojnë lëndët të cilat i kemi dërguar ne si Ministri e Drejtësisë, as të Ministrisë së infrastrukturës, as të Shëndetësisë e as të Ekonomisë”, ka deklaruar Haxhiu në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
“Kemi folur disa herë për çështjen e Martin Berishajt, ka pasur interpelancë, ka pasur Komision hetimor, rasti Berishaj, rasti i Nagip Krasniqit, nuk më lejohet të flas aq sa di për disa raste të cilat po hetohen, përfshirë këto të dyja, ajo çka di unë është se nuk po kanë çka t’i bëjnë kryeministrit Kurti e po merren me këta të dy”, ka theksuar Haxhiu.
Sulme ndaj drejtësisë kishte edhe vartësi tjetër i Haxhiut, Vigan Qorrolli, babai i të cilit ishte dënuar për falsifikim sa ishte noter. Madje, fajin e kishte pranuar edhe publikisht.
Sulmet për aferën “Vaji” dhe “Gruri”
E pushteti ia mori dorën sulmeve brutale ndaj institucioneve të drejtësisë. Avazin e vazhduan pasi Nacionale publikoi përgjime ku dëshmohej mungesa e mallit për të cilin MINT kishte paguar mijëra euro. Më saktë, paratë ishin dhënë, e mungonte vaji, gruri e sheqeri.
Menjëherë pas arrestimit të disa zyrtarëve të MINT, kryeministri Kurti publikoi video në facebook duke sulmuar brutalisht prokurorët e gjyqtarët. As këtu, Blerim Sallahu i vajit në tepsi nuk lëshoi reagim.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar”, deklaronte Kurti.
Madje, Sallahu si jurist i vyeshëm, deklaronte se kjo kontratë ishte rast civil.
“Kur çeshtja me karakter komplet civil tentohet te kthehet ne çeshtje penale si forme hakmarrje ndaj qeverise Kur lidhet një kontrate me element te huaj, ne mes shtetit dhe nje operatori ekonomik nderkombetar, ne te cilen percaktohet sakte sasia e mallit qe do te vie, çmimi dhe pagesa dhe pavaresisht mosardhjes se mallit ose ardhjes se kufizuar te saj ne Kosove, nuk mund te kete karakter tjeter pervecse civil”, shkruante zv/ministri Sallahu.
E ministrja Haxhiu bashkë me ministrat e tjerë filluan një seri videosh. Jo ndonjë filmi, por raportimesh keqpërdorimi duke akuzuar Prokurorinë që nuk po ndërhyn. Pra, sulme ndaj prokurorisë.
“Në vend se prokuroria të merret me ata që kanë shkelur ligjin, kanë zgjedhur që të merren me auditorin e brendshëm. Veprimet tona për ndalje të abuzimeve dhe keqpërdorimeve, tashmë janë objekt hetimi nga prokurorira, në vend se të ishte e kundërta.” – tha ajo.
Edhe më larg kishte shkuar ministri i Financave, Hekuran Murati, duke publikuar prokurorë me emra.
“Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi. Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni”, ka thënë Murati.
Ndaj gjithë kësaj breshërie sulmesh brutale, kishte reaguar Prokuroria me një reagim për media.
Pjesë nga reagimi;
Prononcimet e paskrupullta publike të Ministres së Drejtësisë, për, kinse, mosveprim dhe neglizhencë të PSRK-së ndaj rasteve të ndryshme, demantohen plotësisht nga aktivitetet dhe raportet zyrtare të PSRK-së që pasqyrojnë dhe tregojnë qartazi të kundërtën e asaj që predikon pandalshëm dhe përditë kjo ministre.
Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike.
PSRK-ja bënë me dije se kompetencat dhe veprimtaria e saj në kuadër të Prokurorit të Shtetit nuk janë hartuar dhe nuk zbatohen me paragjykime nga askush dhe nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial, por përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm, me anët të realizimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë me akterët në kuadër të sistemit prokurorial dhe me të gjitha institucionet e tjera në suaza të kompetencave përkatëse, si dhe duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës.


