Albin Kurti i sulet kryeprokurorit Isufaj, hedh akuza të rënda ndaj sistemit prokurorial
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Kurti pati kritika të ashpra për Isufajn, pasi Prokuroria Speciale e arrestoi kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin.
Kurti në fjalimin e tij ia përmendi Isufajt rastet e hetimit të vrasjes së Dino Asanajt dhe zyrtarit tjetër Hamdi Sopa.
“Unë nuk kam dyshim që në prokurorinë e shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe kjo lidhet më shumë se askë tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Një prokuror i njohur në skenën publike i cili rastin e vrasjes së Dino Hasanajt e karakterizoi në vetëvrasje”, ka deklaruar Kurti në Kuvend, raporton Nacionale.
Ai tha se Blerim Isufaj asnjë rast nuk e ka fituar në gjykatë.
“Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë. Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës. Përkundër përvojës së hidhur që ka gjithë vendi me të dëshiron të bëhet kryeprokuror. Vendi më i lakmuar në republikën tonë del të jetë pozita që bën alukimin e rasteve e ky është kryeprokurori i shtetit. Sistemi lëngon se kemi një prokuori që nganjëher s’don, nganjëherë s’din”, ka theksuar kryeministri.
Në fund të fjalës së tij, Kurti ka marrë edhe kompetencat e presidentes Osmani, duke thënë se Blerim Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.
“Ky njeri po dëshiron të bëhet Kryeprokuror. E nuk do të mundet, sepse këtu ka edhe Republikë edhe popull”, tha Kurti.
Kurti e mbron drejtorin e arrestuar
Në adresimin e tij, kryeministri ka mbrojtur drejton e KEK-ut, i cili dje është arrestuar nën dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai ka bërë me dije se opozita i është gëzuar arrestimit të drejtorit të kësaj korporate.
“Në anën tjetër është fakt se dje pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi. Por, ky është fakti i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë se ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, ka pasur keqpërdorim marramendës që asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi drejtësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se arrestimi i Nagip Krasniqit është bërë në mënyrë të qëllimshme.
Kurti ka mbrojtur punën e Krasniqit, duke thënë se korporatës i ka sjell qindra miliona euro.
“Prokuroria është shumë e zëshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka depinuar me dhjetëra fakte dhe dëshmi materiale për kapërdimë qe i ka gjetur atyre. Mirëpo zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve e dëshmimeve për keqpërdorime të me hershme ka qenë zero. Ndërkaq zelli për tu marrë me kryeshefin Krasniqi, i cili vitin 2022 bashkë me punëtoret e KEK-ut ia solli 107 milionë, ishte maksimal”, ka thënë Kurti.
Opozita i përgjigjet kryeministrit
Sulmet e kryeministrit Kurti ndaj sistemit të drejtësisë kanë nxitur reagimin e opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se fjalimi i kryeministrit ishte një monolog mashtrimi.
“Pasi që kryeministri e pa që nuk jemi këtu e filloi një monolog mashtrimi, edhe pse me votë e refuzoi debatin. Kryeministrit po ja them disa fakte, e para prokuroria nuk mundet me ngritë akuza në bazë të AKI-së, sa për kapjen e sistemit të drejtësisë, nga rreth 450 gjyqtarë në qeverisjen tuaj janë emëruar 100 gjyqtarë, 23 janë emëru në janar, 29 në prill, 48 gjyqtarë në korrik, prej rreth 210 prokurorëve janë emëru në qeverisjen tuaj 29 prokurorë, më shumë asnjëherë për një kohë kaq të shkurtë.” – ka thënë Gashi.
Sipas tij, Kurti po dëshiron ta kap sistemin e drejtësisë në mënyrë kunderkushtetuese.
“Keni tentu me kapë sistemin prokurorial dhe gjyqësor duke vepruar në mënyrë jo kushtetuese dhe ato që thatë këtu janë sulm direkt mbi sistemin e drejtësisë. Ai është sistem i pavaruar kushtetues, nëse përzihen bëjnë puç institucional dhe atë e paralajmërove ti sot këtu.” – ka thënë Gashi.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka kërkuar nga kryeministri shkarkimin e bordit të KEK-ut dhe kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Nagip Krasniqin, i cili është arrestuar dje.
“Po e shohim se po ekziston një siklet i madh tek ju dhe tek grupi parlamentar. Unë po ta përkujtoj që gjënë e parë që duhet ta bëni sot ju si kryeministër është që ta mblidhni urgjentisht Qeverinë, ta shkarkoni bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin i cili po mbahet tash në burg. Ai po mbahet në detyrë edhe nga Martin Berishaj, edhe nga Albin Kurti”, është shprehur Tahiri.