Dikur këshilltar i Kuçit, tash zv/ministër i Haxhiut: Qorrolli sulmon gjykatat e prokuroritë, babai i tij noter ishte dënuar për falsifikim
Tentoi disa herë me radhë të bëhej gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, por dështoi. Tash, Vigan Qorolli u shpërblye nga pushteti me pozitën e zv/ministrit të Drejtësisë. Pra, zëvendës i Albulena Haxhiut.
Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk është ambient krejt i panjohur për Qorrollin. Ai më shumë se një dekadë më parë, kishte qenë këshilltar i Hajredin Kuçit të PDK-së, dikur ministër i Drejtësisë.
E partinë njerëzve të së cilës iu kishte shërbyer, Qorrolli sot po i kritikon ashpër. Madje, po i kritikon ashpër edhe gjykatat e prokuroritë. Këtë ai e bëri të premten, duke e shpërndarë në rrjete sociale një fjalim të kritikuar shumë të kryeministrit Kurti.
“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”, thuhet në fjalimin e Kurtit të cilin Qorolli e shpërndau në rrjete sociale.
Elitës së vjetër pra të cilën po e akuzon Kurti, e aty po e përkrahë Qorrolli, i ka shërbyer edhe vetë Qorrolli. Një fakt për të cilin zv/ministri sot nuk preferon të komentojë shumë.
E këto institucione të drejtësisë të cilat Kurti sot po i kritikon, e ku po i jep mbështetje edhe Qorrolli, e kishin dënuar në vitin 2022 babain e Vigan Qorrollit, Nexhatin.
Nexhat Qorrolli që ishte noter, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për veprën penale “Falsifikim”. Për këtë vepër, babai i Vigan Qorrollit, zv/ministër i Drejtësisë, e kishte pranuar fajin edhe vetë.
“E pranoj fajësinë në tërësi, dhe theksoj se autorizimi i përpiluar nga punëtorët teknik dhe i nënshkruar nga unë nuk ka prodhuar efekt juridik dhe pala e cila i ka vënë në lajthim nuk e kemi njohur fare e as që e kemi takuar ndonjëherë, po në këtë rast ekziston përgjegjësia e zyrës noteriale që të jetë e vëmedshme me rastin e vënies në lajthim nga personat të ndryshëm”, deklaronte i akuzuari Qorrolli, raportonte Betimi për Drejtësi.
Babai i Vigan Qorrollit, noteri Nexhat, ishte dënuar nga Gjykata me 6 muaj burgim. Por, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi u kthye në gjobë, ku Qorrolli kishte paguar 900 euro.
Megjithatë, kjo nuk është e tëra. Vigan Qorrolli ishte akuzuar se ishte zënë duke kopjuar gjatë provimit të jurisprudencës vite më parë. Këtë e kishtë thënë ish-kryetari i Supremes, Fejzullah Hasani që ishte në komision.
“Personi tjetër që ka pasur telefonin, nuk e mohon as vetë por thotë se ka pasur një komunikim familjar. Në këtë mënyrë është arsyetuar, ai e ka mohuar se ka kopjuar”, deklaronte Hasani në Klan Kosova.
E Qorrolli më në fund provimin e jurisprudencës e kishte kaluar në vitin 2019. Kjo bëhet e ditur nga dokumenti që është publik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
Si asistent në Universitetin e Prishtinës, më vonë Qorrolli i hyri rrugës së re. Përkrahjes së Vetëvendosjes, e cila edhe erdhi në pushtet. Me përkrahjen nëpër studio televizive, Qorrolli ia mësyu edhe Gjykatës Kushtetuese, por dështoi disa herë.
Pas gjithë kësaj kohe, ai më në fund u shërpblye me pozitën e zv/ministrit të Drejtësisë në qeverinë Kurti II.
