Ndodh edhe kjo: Haxhiu kritikon Prokurorinë pse po e heton Krasniqin e Berishajn, sulmon edhe Gjykatën Kushtetuese - NACIONALE

Ndodh edhe kjo: Haxhiu kritikon Prokurorinë pse po e heton Krasniqin e Berishajn, sulmon edhe Gjykatën Kushtetuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmet e pushtetit karshi sistemit të drejtësisë kanë qenë të vazhdueshme. Mirëpo, rrallë ndodh të shihen kritika për institucionin më të rëndësishëm në vend, Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e ka bërë mbrëmë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Pra, shefja politike e dikasterit të drejtësisë. Haxiu ka thënë në KTV se Gjykata Kushtetuese po i pengon reformat në drejtësi.

Kjo duke argumentuar për vonesat sipas saj, që po i bën vendimeve lidhur me Vettingun, Byronë e Konfiskimit të Pasurisë e Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Sipas Kushtetutës, kryetari i Kuvendit e ka për obligim t’i dërgojë amandamentet në Gjykatë Kushtetuese për të kuptuar nëse amandamentet për vetingun janë në linjë me Kushtetutën. Tash e pesë muaj jemi në pritje të një vendimi. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka reforma në drejtësi, nuk jemi në linjë të njëjtë me Gjykatën Kushtetuese sepse duket që reformat në drejtësi po i pengojnë duke i zhbërë ose po i vonojnë si të tilla”, ka thënë ajo.

Haxhiu madje ka kritikuar edhe vendimet konkrete të Gjykatës Kushtetuese. Duke folur për vendimin rreth Ligjit për KPK-në, Haxhiu ka thënë se vendimi i Kushtetueses është i paprecedent.

“Për shembull, KPK-ja ka qenë rast i paprecedent. E ka vonuar nëntë muaj, Ligji për Këshillin Prokurorial nëntë muaj ka qëndruar në Kushtetuese... ata kanë nisë për ta rrëzuar këtë ligj. Mendoj se nuk është qasje korrekte, e kuptoj pavarësinë që duhet ta kenë gjyqtarët por vonesat, refuzimi ia adresimit të Komisionit të Venecias, e dëmton Kosovën”, ka thënë Haxhiu.

“Unë kam dëgju që nga Prokuroria thonë secilin vendim që e ka nënshkruar Albulena Haxhiu ma sillni këtu. Është hakmarrje për reformat që kemi nisur ne”, deklaroi Haxhiu, por pa ofruar ndonjë fakt kush ka dhënë këso deklarata.

Mirëpo, kritikat e Haxhiut nuk janë ndalur këtu. Ajo ka pasur kritika edhe për hetimet që po i zhvillon Prokuroria e Kosovës ndaj Nagip Krasniqit, Martin Berishajt e zyrtarëve të tjerë të pushtetit.

Madje, Haxhiu ka hyrë në teori konspirative duke thënë se prokurorët s’po kanë çka t’i bëjnë Kurtit, e po e hetojnë kryeshefin e KEK-ut e ambasadorin Berishaj.

“Tani ndryshe është ne nuk jemi të lidhur me Prokurorinë, ata qëllimshëm nuk i adresojnë lëndët të cilat i kemi dërguar ne si Ministri e Drejtësisë, as të Ministrisë së infrastrukturës, as të Shëndetësisë e as të Ekonomisë”, ka deklaruar Haxhiu në një intervistë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

“Kemi folur disa herë për çështjen e Martin Berishajt, ka pasur interpelancë, ka pasur Komision hetimor, rasti Berishaj, rasti i Nagip Krasniqit, nuk më lejohet të flas aq sa di për disa raste të cilat po hetohen, përfshirë këto të dyja, ajo çka di unë është se nuk po kanë çka t’i bëjnë kryeministrit Kurti e po merren me këta të dy”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka thënë se nëse ka dyshime për afera korruptive për zyrtarët qeveritarë ata do të shkarkoheshin.

Sipas Haxhiut në Qeverinë Kurti nuk ka ministra që janë pasuruar pasi e kanë marr detyrën.

Për këtë ka reaguar edhe koordinatori i PDK-së për drejtësi, Përparim Gruda. Ai e ka quajtur këtë intervistë skandaloze.

“Ja disa nga gjërat absurde që tha ajo në këtë intervistë: 1. Akuza drejt Prokurorisë: "S'po kanë çka t'i bëjnë Kurtin, po merren me Berishajn e Krasniqin". 2. Gjykata Kushtetuese po i pengon reformat në drejtësi.3. Lista Serbe ka shumë incizime të opozitarëve, por nuk i nxjerrin. Ju siguroj se në asnjë vend normal demokratik nuk mund të gjendet kurrë një Ministre e Drejtësisë që flet me këtë gjuhë. Është e pabesueshme mungesa e profesionalizmit në këtë shkallë. Ajo nuk e di cili është roli i saj në Qeveri”, ka shkruar ai.

Haxhiu ka thënë se nuk mund të thuhet se ministrja Rozeta Hajdari është e korruptuar vetëm se e ka vonuar deklarimin e pasurisë. Por, ajo nuk e ka komentuar edhe skandalin e vajit e grurit, ku mijëra eura të dhëna për rezervën shtetërore, nuk kanë ardhur në Kosovë.

Lajme të ngjashme