“S’pranoj të gjykohem me këto ligje”, “Ngritja në këmbë s’është haram, por kaq dinë ata” — Hoxhallarët flasin për 24-vjeçarin e papunë që për fe dyshohet se e sulmoi Valon Sylën
Tre të akuzuarit për sulm ndaj gazetarit Valon Syla sot dolën para drejtësisë.
Lum Dervishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani, nuk u çuan në këmbë kur ua kërkoi gjykata.
Në videon e publikuar nga Betimi për Drejtësi, gjyqtarja Violeta Namani dëgjohet teksa thotë, po citoj, “Ju lutem ngrituni në këmbë, është rregull kur të fton gjykata”.
Të akuzuarit refuzuan duke thënë, po citoj, “... është jashtë rregullave fetare”.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar hoxhallarë të Bashkësisë Islame për t’i pyetur për këtë çështje.
Përgjigja ka qenë, po citoj, “Nuk është haram, po kaq dinë ata”. Hoxhallarët e BIK-ut nuk deshën të deklarohen me emër, në mënyrë që të mos lidhen në asnjë formë me të akuzuarit.
I akuzuari Kenan Hasani tha se, po citoj, “Veprimin edhe unë e pranoj çfarë ka ndodhur, mirëpo gjykimin nuk e pranoj sepse si mysliman duhet të gjykohem vetëm me ligjin islam”.
Njëjtë edhe Lum Dervishi tha, po citoj, “Nuk pranoj të gjykohem me këto ligje, nuk e kam mohuar në stacion, e kam pranuar në Prokurori, e pranoj edhe tash”.
Pasi gjyqtarja ua lexoi të pandehurve të drejtat e tyre, prokurorja speciale mori fjalën t’ua lexojë të pandehurve dispozitivin e aktakuzës.
Gjyqtarja e njoftoi prokuroren se meqë të pandehurit s’u ngritën në këmbë, edhe kjo mund ta lexojë dispozitivin ulur.
Prokurorja insistoi që të pandehurit të ngritën në këmbë përveç nëse kanë arsye shëndetësore.
Këtë e kundërshtoi avokati i të pandehurit duke kërkuar vazhdimin e seancës që të mos humbet kohë me gjëra të parëndësishme.
Gjyqtarja tha, po citoj, “As unë s’e shoh të domosdoshme ngritjen në këmbë”.
I pranishëm në seancë si viktimë ishte edhe gazetari Valon Syla.
Çka thotë aktakuza?
Sipas saj, më 11 prill 2023, tre të akuzuarit, të motivuar nga ideologjia ekstreme radikale islamiste të besimit fetar, kanë lënduar lehtë të dëmtuarin Valon Syla për shkak të një publikimi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.
Të tre kishin ndjekur Valon Sylën nga ambientet e Televizonit “T7” dhe me të arritur në restorantin “Image” në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, që të tre sulmojnë fizikisht me grushte në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të lehta trupore.
Çfarë kishte thënë Valon Syla?
Gazetari shkrimin ne profilin e tij në facebook e kishte nisur me një storje gati para 40 vjetëve kur tash kryetari i BIK-utm Naim Tërnava donte ta blinte një veturë nga babai i Valon Sylës.
Sipas gazetarit, Tërnava atëherë kishte qenë merakli i veturave dhe ashtu ka mbetur edhe sot.
Ndërsa hoxhën Mazllam Mazallamin e kishte quajtur “Mulla Mercedesi” meqë një ditë më parë kishte pranuar dhuratë një veturë të tipit “Mercedes”.
E për shkak se është ishte akuzuar për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Syla e quajti “Rekrutues të ISIS-it”.
Më pas në një shkrim tjetër kishte treguar një barsoletë ku kishte përmendur Muhamedin dhe Jezusin, për çka të pandehurit akuzohen se janë motivuar ta sulmojnë gazetarin.