Gjyqtari Florian Krasniqi: Numri i rasteve të kontesteve pronësore ka rënë vitet e fundit - NACIONALE

Gjyqtari Florian Krasniqi: Numri i rasteve të kontesteve pronësore ka rënë vitet e fundit

2 javë më parë

nga NACIONALE

Gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Florian Krasniqi, ka folur për rastet e bashkëpronësisë dhe kontestet pronësore që trajtohen në këtë gjykatë.

Në një intervistë për Gazetën Nacionale, gjyqtari Krasniqi ka deklaruar se kontestet pronësore zënë një vend të rëndësishëm në statistikat e lëndëve që trajtohen nga Gjykata Themelore.

“Duhet theksuar se kontestet pronësore zënë një vend të rëndësishëm në statistikat e lëndëve që trajtohen në gjykatë. Mund të them se janë ndër lëndët më komplekse që i trajtojmë. Nuk mund të flasim me statistika të sakta, por ka një numër të konsiderueshëm të rasteve që kanë të bëjnë me konteste pronësore”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shpjeguar se këto raste burojnë nga rrethana të ndryshme, të krijuara ndër vite.

Këto raste derivojnë nga faktorë të ndryshëm, si mungesa e transaksioneve formale, mosbartja e pronave për një periudhë të gjatë dhe mosregjistrimi i tyre në regjistrat kadastralë. Me kalimin e kohës, pronarët kërkojnë që pronat e tyre të regjistrohen, por për shkak të vdekjes së shitësve ose blerësve, apo rrethanave të tjera, shpeshherë e vetmja mundësi për realizimin e të drejtave të tyre pronësore mbetet rruga gjyqësore”, ka thënë ai.

Sipas gjyqtarit Krasniqi, kohëve të fundit është vërejtur një rënie e rasteve të kontesteve pronësore, veçanërisht atyre që lidhen me paluajtshmëritë.

Kohëve të fundit kemi një rënie të rasteve të kontesteve pronësore, sidomos atyre që lidhen me paluajtshmëritë. Kjo tregon se është rritur vetëdijesimi i qytetarëve që shitblerjet e paluajtshmërive, por edhe ndarja e pasurisë mes familjarëve, të realizohen në mënyrë formale dhe sipas procedurave ligjore”, ka deklaruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme