Qysh dyshohet se u rrah nga trajneri, një fëmijë 11-vjeçar gjatë një turniri të futbollit në Durrës? - NACIONALE

Qysh dyshohet se u rrah nga trajneri, një fëmijë 11-vjeçar gjatë një turniri të futbollit në Durrës?

1 orë më parë

nga Eriola Cacaj

Çka thotë prindi i tij?

Çka thotë trajneri dhe ekipi i tij për këtë rast?

Çfarë pozite shtetërore mban trajneri që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj fëmijës 11-vjeçar?

Një fëmijë 11-vjeçar pretendohet se është rrahur nga një trajner gjatë një turniri futbolli në Durrës.

Bëhet fjalë për një futbollist 11-vjeçar të shkollës së futbollit “Drini i Bardhë” në Prizren.

Gazeta Nacionale ka zhvilluar një intervistë me babain e 11-vjeçarit, Din Qoqaj, i cili ka deklaruar se trajneri Bashkim Mallaku nga shkolla e futbollit “Arbana” ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.

Mes tjerash, ai ka treguar se djali i tij kishte shkuar në turne me shkollën e futbollit “Drini i Bardhë”, ku edhe stërvitej vazhdimisht. Mirëpo, pas një marrëveshjeje mes trajnerëve, pa u informuar prindi, futbollisti 11-vjeçar ishte vendosur të luante për shkollën e futbollit “Arbana”.

Qoqaj ka ndarë edhe detaje se si ishte informuar për rastin. Pasi e kishte marrë vesh lajmin, ai kishte shkuar personalisht në Durrës, kishte marrë fëmijët e tij dhe i ishte drejtuar Komisariatit të Policisë në Durrës, ku kishte iniciuar kallëzim penal.

Prindi i 11-vjeçarit ka deklaruar gjithashtu se z. Mallaku mban edhe një pozitë shtetërore, si gardian burgu në Prizren.

Gazeta Nacionale ka biseduar edhe me trajnerin Mallaku, i cili e ka dhënë versionin e tij të ngjarjes. Jashtë kamerës ai ka mohuar versionin e babait tw 11 vjecarit duke deklaruar se veprimet e tij kanë qenë të menaxhueshme dhe se gjithçka e kishte bërë vetëm që t’i frikësonte fëmijët, në mënyrë që përplasjet mes tyre të mos përsëriteshin.

Mallaku ka theksuar se nuk ka pasur asnjë akt dhune ndaj 11-vjeçarit dhe, në fund, na ka udhëzuar që për më shumë detaje t’i drejtohemi klubit “Arbana”.

Trajneri në fjalë nuk e ka mohuar as faktin se mban pozitën e gardianit.

Ne jemi munduar të marrim edhe një përgjigje nga shkolla e futbollit “Arbana”, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Nacionale i është drejtuar edhe trajnerit të shkollës së futbollit “Drini i Bardhë”, Destan Kabashi, me të cilin futbollisti 11-vjeçar kishte shkuar në turne. Mirëpo, Kabashi ka mohuar se është përgjegjës për të dhe ka deklaruar se fëmija ishte sjellë në turne nga kryetari i klubit.

Nacionale është munduar të marrë edhe një prononcim nga kryetari i klubit te “Drini Bardhë’, Mustafë Totaj, por deri në publikimin e kësaj videoje ai nuk ka kthyer përgjigje.

Lajme të ngjashme