Sa janë të lumtur kosovarët prej një deri në dhjetë? - NACIONALE

Sa janë të lumtur kosovarët prej një deri në dhjetë?

2 muaj më parë

nga Burim Pacolli

Kosova, vend me një milion papërsosmëri, por me popull të lumtur. Apo ashtu të paktën mbeti përshtypja pasi pyeta më shumë se 20 veta nëse janë të lumtur dhe sa janë të lumtur nga një deri në dhjetë.

Lumturia është gjendje kënaqësie e vjen në rrethana vetëpërmbushjeje. Nuk është e lehtë të ruhet konsistenca e saj, madje mund edhe të keni probleme serioze që ta fitoni.

Sidoqoftë, në bazë të gjendjes në terren, po del të jetë se Kosova është vend me plot njerëz të lumtur.

Me bubë në dorë e një kameraman pas vete, nisa rrugëtimin prej asaj që njihet si "Rruga e Zallit" dhe e përfundova te "Markat" në Prishtinë, duke pyetur llojlloj insani.

Nga mbi njëzetë njerëz sa i pyeta, vetëm një u deklarua si jo i lumtur.

Një burrë në të 50-at ishte i pari që ndala për ta pyetur, "prej një deri në dhjetë, sa je i lumtur?"

"Prej njëshit deri në dhjetë jam 6 i lumtur", tha ai pasi u deklarua paraprakisht si njeri i lumtur.

"Më së shumti më lumturon që e kom familjen ma s'pari shëndosh e mirë. Që janë në marrëdhënie pune, sado kudo, jom aktiv në jetë", u shpreh ai.

Pak metra tutje, një burrë, po ashtu në të 50-at, u shpreh:

"7. Çelësi i lumturisë është shëndeti. Veç shëndeti më bën të lumtur".

Ec e ec, provo e provo, dikush më injoronte, e dikush më thoshte "s'kam kohë", një i ri në të 20-at më në fund pranoi të përgjigjej.

"Pafund jam i lumtur", tha ai. "Familja edhe shoqnia më lumturojnë më së shumti".

Me të përfunduar punë me djaloshin, menjëherë ndala një grua - e para pas disa burrave.

"Jam te 8-shi. Familja më lumturon më së shumti. Shëndeti, këto"
, tha ajo.

Të rinjtë tash po i synoja, se - me gjithë respektin për më të moshuarit - por janë konsumuar në secilin vox gazetaresk, si mosha më e përfaqësuar.

"Kaniherë jom e lumtur",
u shpreh zonja. "Familja, shoqëria, dashnia. 8.0 jam e lumtur (prej 1 deri në 10)".

Një të huaj e takova afër 'Neë Born'-it. Më dha një këndvështrim tjetër të lumturisë, pasi isha ngopur duke marrë "shëndetin dhe familjen" si përgjigje të lumturisë së kosovarëve.

"Moti, muzika e mirë, njerëzit e mirë", u shpreh ai, ndër të tjerash.


"I lumtur jom boll", ishte përgjigja e një burri rreth të 70-ave.


"Prej një deri në dhjetë, shtatë jam i lumtur. Shneta, jeta e mirë më bëjnë të lumtur".


Dëgjoni përgjigjet e plota më poshtë.

Lajme të ngjashme