“Qysh ua kishe shpjegu fëmijëve Asociacionin?" - Kryeministri ikë sërish nga pyetjet, gazetari nuk i bindet sigurimit - NACIONALE

“Qysh ua kishe shpjegu fëmijëve Asociacionin?" - Kryeministri ikë sërish nga pyetjet, gazetari nuk i bindet sigurimit

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Është ora 09:30. Jam rrugës për te redaksia... doja të shkoja të bëja një terren tek Agjencia Shtetërore e Arkivave por teksa kaloj ka lagjia, e shoh se tek shkolla “Elena Gjika” se po ndodhte diçka e pazakontë. Ndalem për të pyetur dhe e kuptoj se ata po prisnin kryeministrin e vendit Albin Kurtin. Po shënonin përvjetorin e mësimit në gjuhën turke.

Ora 9:40. E lajmëroj kamermanin dhe ndalem te shkolla. Në korridorin e saj janë fëmijët e komunitetit turk që mësojnë. Kanë përgatitur një program muzikor, një flautiste e vogël bënte provat e fundit ndërsa mësuesja ose dikush nga drejtoria e shkollës po i mësonte sesi të prisnin kryeministrin.

E pyes nëse është e emocionuar që po i viziton kryeministri.

“Normalisht që po, pakëz po”, më thotë ajo.

Ora tashmë është 9:55 dhe tek shkolla ka ardhur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Pastaj ministri nga komuniteti turk që drejton Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka. Kryeministri ende nuk ka ardhur. Në ndërkohë holli i shkollës mbushet me gazetarë të tjerë

Të gjithë gazetarët janë të interesuar që të marrin një qëndrim nga kryeministri për takimin që e pati në Ohër me presidentin e Serbisë. Ata u takuan të shtunën dhe u pajtuan për një marrëveshje mbi Aneksin e Zbatimitpor nuk e nënshkruan. U lanë shumë pikëpyetje mbi ato që u thanë në Ohër dhe me të drejtë kolegët kishin shumë pyetje.

Ndërsa unë kisha një pyetje të thjeshtë. Meqënse kryeministri është i njohur për lojë të fjalëve dhe përdor narrativa të komplikuara për të shpjeguar sidomos Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, vendosa që ta pyes thjesht: "qysh ua kishe shpjeguar fëmijëve Asociacionin?" Dikush mund të thoshte se të gjitha shpjegimet e tij të mëhershme ishin shpjegime fëmijërore e foshnjarake, por s'ka lidhje.

Sapo hynë ne hollin e shkollës ia bëj këtë pyetje. Ai vetëm më përcjellë me shikim. Nuk ndalet dhe vazhdon tutje. Disa kamermanë vazhdojnë në klasën ku kryeministri do të takohej me mësues dhe nxënës të komunitetit turk, ndërsa shumica e gazetarëve mbesim poshtë për ta pritur.

Por teksa gazetarët prisnim tek hyrja e shkollës për të dalë kryeministri para na del këshilltari i kryeministrit i cili na thotë se “Kurti është i zënë dhe nuk do të ketë mundësi që të flasë”. Të gjithë zhgënjen por nuk dorëhiqen.

Sigurimi i kryeministrit tenton që të lirojë hapësirën që të krijohet një korridor që i mundëson kryeministrit dalje të sigurtë. Megjithatë një gazetar refuzon ta bëjë këtë. është gazetari i RTV 21 i cili nuk del jashtë grilave ku sugjeronte që të dilte. Sigurimi dorëhiqet, gazetari fiton. E komplimentoj.

Pas nja 20 minutave pritje, kryeminsitri del nga shkolla. Në dalje e thotë fjalinë e njohur tashmë.

“Jam shumë vonë për një takim në orën 11:00”, thotë kryeministri teksa me vrap ik në xhipin e zi.

Pyetja ime mbetet e njejtë. Por pa përgjigje. Për më shumë detajë shikojeni videon nga ky terren.

Lajme të ngjashme