Pse po zhvillohet Liga Unike në basketboll? Skuadrat kosovare po ua bëjnë ‘bajat’ atyre shqiptare - NACIONALE

Pse po zhvillohet Liga Unike në basketboll? Skuadrat kosovare po ua bëjnë ‘bajat’ atyre shqiptare

3 javë më parë

nga Edonis Bytyqi

Liga Unike është një garë që u krijua para katër viteve për të bashkuar Kosovën dhe Shqipërinë. Entuziazmi ishte i madh. Urra bënë të gjithë. Megjithatë, sot askush s’e përcjell me vëmendje e askujt s’i bën përshtypje.

Pyetja që duhet bërë është: pse po zhvillohet edhe më tutje?

Po flasim për aspektin sportiv. Klubet nga Shqipëria janë nivel aq i dobët, sa mund të thuhet se duhet të ndihen me fat që garojnë në kompeticion, e aq më pak përballen me skuadrat tona. Imagjinoni sikur ekipet e NBA të ndeshen me ato nga liga e Moldavisë, për shembull! Bash kështu është dallimi në cilësi!

Këtë nuk e themi ne që të ngrisim nivelin e klubeve kosovare, mirëpo vetëm faktet. Të katër klubet kosovare s’patën kurrfarë problemi që t’i eliminonin ato shqiptare në kuadër të çerekfinaleve për Ligën Unike.

E dëgjuat mirë, nga katër ndeshje – as edhe një klub shqiptar s’ia doli të kualifikohet në gjysmëfinale. Të gjitha klubet janë kosovare E nisim me përballjen e parë që ishte Trepça – Kamza Basket, ku skuadra mitrovicase fitoi me rezultat 90:46.

Trepça nuk tregoi aspak respekt për skuadrën që garon për titull në Shqipëri, duke e mposhtur me plot 44 pikë dallim. Në të gjitha çerekët dallimi ishte jashtëzakonisht i madh mes dy skuadrave, ku arritja më e madhe për Kamza Basket ishte që shënuan 15 pikë në çerekun e fundit, e pësuan vetëm 20 sosh.

E njëjta situatë shkoi edhe në ndeshjen e dytë, ku Golden Eagle Ylli u përballë me kampionin aktual të Shqipërisë, KB Tirana. Edhe pse në letër mund të mendohej se ishte sfidë interesante, skuadra nga Suhareka e demoloi me rezultat 56:92, pra sërish 44 pikë dallim.

Tirana në fakt kishte pak shpresë në këtë takim pasi e nisi për mrekulli, duke e mbyllur çerekun e parë me katër pikë dallim (25:21), mirëpo pastaj Ylli ia tregoi realitetin e hidhur ku në dy çerekët e radhës i shënoi 61 pikë, e pësoi vetëm 17 sosh.

As Peja s’tregoi respekt për klubin shqiptar Teuta Durrës, në fakt këtyre ua bëri si të ishte skuadër e NBA-së, duke shënuar mbi 100 pikë. Rezultati ishte 122:78.

Klubi pejan e nisi fuqishëm duke shënuar afro 50 pikë vetëm në çerekun e parë, e pastaj e qetësuan lojën ndoshta si shenjë respekti të tifozëve shqiptarë që ishin të pranishëm në tribuna.

Vështirësitë më të mëdha i kishte Sigal Prishtina, që çuditërisht eliminoi me vetëm një pikë dallim liderin aktual të Shqipërisë, Besëlidhjen 79:80.

Kjo ndoshta ishte sfida e vetme reale në kuadër të Ligës Unike, meqenëse klubet e tjera i bënë ato shqiptare të duken si skuadra të ligës së tretë të Kosovës.

Rezultati i përgjithshëm i ekipeve nga Kosova me ato nga Shqipëria ishte: 384 me 259. Pra, plot 125 pikë dallim.

Trepça pastaj e fitoi tërë kompeticion, gjë që është normale pasi mund të thuhet se kanë skuadrën më të mirë në histori të klubit, që humbja e fundit iu daton në muajin nëntor.

Mitrovicasit në gjysmëfinale eliminuan Sigal Prishtinën, ndërsa në finale triumfuan ndaj Golden Eagle Yllit me një trepikësh të sekondave të fundit, që u realizua nga lojtari më i dalluar Edge.

Lajme të ngjashme