Fundi tragjik i kampionit: Si ia morën jetën boksierit nga Kosova në Bielefeld të Gjermanisë? - NACIONALE

Fundi tragjik i kampionit: Si ia morën jetën boksierit nga Kosova në Bielefeld të Gjermanisë?

2 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Boksieri me prejardhje nga Kosova Besar Nimani ka mbetur i vrarë të shtunën mbrëma pasi u qëllua me armë zjarri nga disa persona.

Mediat gjermane kanë raportuar se disa persona papritmas kanë shtënë në drejtim të Nimanit, i cili në ato momente ishte duke dalë nga një restorant.

Gazeta më e madhe gjermane “BILD” shkroi: “Një grup prej pesë deri në gjashtë burra ishin ulur së bashku në një kafene. Më pas thuhet se të gjithë janë larguar së bashku nga restoranti. Pastaj papritmas pati të shtëna jashtë. Gjashtë deri në tetë të shtëna raportohet se janë qëlluar”.

Policia dhe ekipi i shpëtimit raportohet se shkuan menjëherë në vendngjarje, mirëpo mjekët e urgjencës nuk mund të bënin asgjë, shkaku që ish kampioni i Evropës ndërroi jetë nga plagët e marra.

Personat që kanë shtënë drejt ish kampionit të Evropës ndodhen momentalisht në arriti, siç konfirmoi Prokuroria e Policisë gjermane të dielën

“Të shtunën në mbrëmje, më 9 mars 2024, një 38-vjeçar vdiq si pasojë e të shtënave në qendër të qytetit. Autori ose autorët janë në arrati”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndër të tjera, vlen të ceket se po në këtë qytet Nimani kishte mbetur i plagosur në vitin 2013.

Si ndodhi vrasja?

Sipas vëllait të tij Beratit, tre persona i kanë dalë në pritë Besarit ndërsa dy prej tyre e kanë qëlluar.

“Kur ka ndodh rasti Besari i ka sjell fëmijët dhe bashkëshorten te unë, pastaj ka dal në qytet për të shku në përvjetorin e vdekjes së një shokut të tij, gjatë rrugës ka shku me marr një shok tjetër në lokal ndërsa tre persona e kanë pritur në rrugë dy nga të cilët e kanë qëlluar Besarin”.

Ai ka shtuar se me njërin prej tyre Besari kishte pasur problem edhe para disa viteve.

“Para tre viteve njëri nga të dyshuarit kishte hyrë në lokalin e Besarit, dhe kanë pasur një debat aty, Besari e ka qitur jashtë lokalit”, deklaroi ai për “Paparacin”.

Arritjet në karrierë

Nimani ishte fantastik në karrierën e tij profesionale, ku konkurroi në kategorinë super të lehtë dhe e mbylli karrierën me 26 fitore, ku 22 prej tyre ishin me nokaut.

Karriera e tij në boks zgjati gati një dekadë, ndërsa gjithmonë u vlerësua lartë për dominimin që kishte në ring ndaj kundërshtarëve.

Nimani më 15 tetor 2011 fitoi titullin e parë profesional duke mposhtur Mbongo-Starr pas plot 10 raundeve, kurse suksesin më të madh e arriti në vitin 2014, ku nokautoi Mike Miranda për ta fituar titullin IBF.

Ai pastaj humbi ndaj francezit Frank Horche dhe pas kësaj beteje mbeti jashtë për një kohë të gjatë, shkaku i lëndimeve të shpeshta.

Nimani u rikthye në ring në vitin 2019 duke mposhtur Teemu Touminen dhe ndeshjen e fundit profesionale e zhvilloi më 14 dhjetor 2019 ndaj Adnan Zilic.

Lajme të ngjashme