“Po na e mytin motivin”: Qysh i la Policia të rinjtë prej gati një viti nëpër kabina, pa trajnime? - NACIONALE

“Po na e mytin motivin”: Qysh i la Policia të rinjtë prej gati një viti nëpër kabina, pa trajnime?

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Kadetët e Policisë, përgatitjet i kishin nisur herët.

Për ta, dita e madhe erdhi më 11 korrik 2025, kur edhe zyrtarisht diplomuan dhe iu bashkuan radhëve të Policisë së Kosovës.

Me motiv të madh, ata kaluan sfida dhe trajnime të ndryshme vetëm për të veshur uniformën e policisë dhe për të shërbyer në mbrojtje të rendit dhe sigurisë në vend.

Por, pas diplomimit, realiteti për shumë prej tyre doli të ishte ndryshe nga ai që kishin pritur.

Që nga korriku i vitit 2025, dhjetëra policë të gjeneratës së 62-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në pika statike sigurimi, larg aktiviteteve të përditshme policore dhe punës operative në terren.

Nacionale ka pranuar disa shqetësime nga zyrtarë të ndryshëm policorë, që kanë dashur të mbesin anonimë.

Ata janë ankuar se për të pasur aftësi të nevojshme profesionale për të vepruar në raste emergjente në pika statike, duhen edhe trajnime të veçanta, të cilat nuk i kanë ndjekur. Megjithatë, kjo është vetëm një prej ankesave.

Policët të rinj që kanë pasur ëndërr ta veshin uniformën e të kryejnë nevoja operative për t’u dalur në ndihmë qytetarëve, janë kthyer në ‘rojtarë’ të objekteve, dhe pa mundësi avancimi profesional. Dhe kjo, duke vlejtur vetëm për këtë gjeneratë, pa roatcion dhe pa ndryshime. Për gati 1 vit, e njëjta histori.

Këta police, kanë pasur nga 2 muaj kohë për të dalur në patrullë, pra punë në terren, dhe janë kthyer sërish në ato kabinat e bardha të pikave statike.

“Kjo është me ta mbyt motivin”, tha një polic në kushte anonimiteti për Nacionalen.

Duke qenë se pas 1 viti policët mund të aplikojnë për avancime nëse ka konkurse brenda Policisë, ata e vlerësojnë veten se janë dëmtuar qysh në start, pasi për tërë vitin, nuk kanë pasur asnjë mundësi zhvillimi apo përgatitje më profesionale. Thjeshtë, kanë qëndruar në një vend.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Nacionale i është drejtuar Policisë së Kosovës për sqarime.

Sipas PK-së, sistemimi i policëve të rinj pas diplomimit bëhet “konform nevojave operacionale dhe pozitave të lira në PK”, ndërsa edhe shpërndarja e gjeneratës së 62-të është realizuar mbi këtë bazë.

“Policia e Kosovës, sistemimin e Policëve të Ri pas diplomimit e bënë konform nevojave operacionale dhe pozitave të lira në PK, ku edhe shpërndarja e zyrtarëve policor të gjeneratës së 62-të të PK-së është bërë konform këtyre kritereve”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Në lidhje me trajnimet, Policia e Kosovës thotë se gjatë trajnimit bazë policët fitojnë njohuritë e nevojshme për ushtrimin e detyrës dhe zbatimin e autorizimeve policore.Pra, Policia flet për trajnime të përgjithshme, e jo për ato specifike që kërkohen për policët që kryejnë këto nevoja operacionale.

Pra thënë shkurt e qartë, në një rast emergjent në këto pika statike, pjesa më e madhe e policëve të kësaj gjenerate, nuk dine si të veprojnë, pasi kanë kryer vetëm trajnimin bazik në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri.

Ndërsa, për kushtet e shërbimit në këto pika, policia është përgjigjur se zyrtarët policorë kryejnë detyrat që kërkohen për atë pozitë pune.

PK gjithashtu vlerëson se angazhimi në pika statike nuk ndikon në motivimin apo zhvillimin profesional të policëve të rinj.

Por, sipas burimeve të Gazetës Nacionale, kushtet në të cilat operojnë disa nga këta policë konsiderohen të vështira. Të njëjtat burime thonë se ka raste kur zyrtarët policorë përfundojnë orarin tetëorësh duke qëndruar në vetura, ndërsa në disa pika mungojnë edhe kushtet bazike për kryerjen e nevojave personale.

Lajme të ngjashme