Nuk ka anti-fushatë ndaj Policisë tonë - NACIONALE

Nuk ka anti-fushatë ndaj Policisë tonë

9 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Të rritur me rrëfimet e familjarëve tanë për jetën nën një polici brutale të regjimit serb, dashuria jonë për Policinë e Kosovës ka lindur dhe është rritur bashkë me ne.

Duke i pasur gjithnjë parasysh ato kujtime të dhimbshme, më ka ndodhur shpesh të emocionohem deri në lot sa herë kam parë një ceremoni ku Policisë së Kosovës i janë bashkuar pjesëtarë të rinj, apo kur kemi qenë dëshmitarë të sukseseve të njëpasnjëshme të Njësisë Speciale të Policisë.

Besoj se shumë prej nesh, të paktën një herë pas çlirimit të Kosovës, e kemi dëgjuar ose thënë vetë shprehjen: “Kam dëshirë, në njëfarë mënyre, kur më ndalon në komunikacion Policia jonë – Policia e Kosovës.”

Ky përshkrim, për shumë njerëz në vende të ndryshme të botës, mund të duket i pakuptueshëm.

Po të përpiqesh t’ia shpjegosh, për shembull, një norvegjezi apo finlandezi, se ndihesh mirë kur të ndalon Policia, madje edhe kur të shqipton ndonjë gjobë për shkelje të rregullave të komunikacionit – do të të shikojë me habi: Si mund të ndihesh mirë kur të ndalon Policia?

Raporti ynë me Policinë nuk është një raport i zakonshëm institucional, siç mund të jetë për shembull me Komisionin për Miniera dhe Minerale, apo me ndonjë agjenci tjetër shtetërore në një shtet të konsoliduar.


Për ne, që kemi një histori të dhimbshme jo fort të largët, stema e Republikës së Kosovës e vendosur në kraharorin e çdo polici na rikujton, përmes trupit dhe simbolit të tij, jo vetëm shtetin tonë, por edhe sakrificën tonë – historinë tonë të para 26 - 27 viteve.

Megjithatë, përtej këtij përshkrimi që dikush mund ta konsiderojë emocionalisht të ngarkuar – dhe me të cilin do të pajtohesha – duhet të theksojmë se rastet si ai i fundit në Lipjan, ku u ngritën kritika për joprofesionalizmin e pesë pjesëtarëve të policisë, si dhe thirrjet për më shumë investime në trajnimin e Policisë së Kosovës (trajnime që janë zvogëluar si në sasi ashtu edhe në cilësi), nuk përbëjnë një fushatë kundër policisë – siç u pretendua në mbledhjen e sotme të Qeverisë në detyrë.

Lajme të ngjashme