Populli i Presidentes minus Ganimete Musliu - NACIONALE

Populli i Presidentes minus Ganimete Musliu

1 muaj më parë

nga Dafina Demaku

Ose: A ka diçka më qesharake sesa ta mbrosh UÇK-në nga Hashim Thaçi, i cili qe pesë vite mban burg për UÇK-në?

Janë tri pika interesante nga biseda jointeresante midis Presidentes Osmani dhe autorit të njëfarë emisioni që qarkullon rishtazi në rrjete sociale, i quajtur ‘Nerv’. Dhe le t’u biem sa më shkurt;

Partitë opozitare në Kosovë (këto që janë, me aq takat sa kanë) – deri tani përfaqësojnë fiks 387 mijë e 63 njerëz, por për Presidenten Osmani, ajo nuk e ka për detyrë të përfaqësojë kurrëfarë ‘uniteti’ në raport me këta trupa njerëzish dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Bash në kohën kur Presidentja ia ka nevojën - të paktën njërës nga partitë (e mëdha opozitare – u thënçin :P), në paraqitjen e fundit ajo nuk i bëri hiç itibar dhe i goditi në ‘nerv’ duke iu thënë se nuk përfaqësojnë ‘popull’ dhe se kështu bash-bash popull, hakikat popull përfaqëson ajo, pra Presidentja.

“Nuk ka askush një argument të vetëm ku nuk e kam përfaqësuar popullin, jo partitë. Unë e kam përfaqësuar popullin” – tha Presidentja dhe tha: “Në Kosovë çdo herë keqinterpretohet uniteti i popullit sikur të ishte unitet partiak” – na tha në nerv dhe autori i emisionit që shquhet për etiketën ndaj gazetarëve si ‘formacione paramilitare’ - nuk dënjoi ta vë në lëvizje asnjë nerv nga formacioni i tij retikular që ta sfidojë Presidenten se qysh saktësisht po e mendonte këtë ‘ndarje populli’.

Pasi i tha në nerv publikes së Xen Gashit dhe Rron Gjinovcit, se është në interes të Kosovës që të rizgjidhet Presidente, interesant është fakti se Osmanit nuk po i vyen kjo ‘pjesëz e popullit’, bash pak para datës ku ajo synon ta rikonfirmojë veten për s’dyti në postin e Presidentes por la të kuptohet se nëse këto partitë politike që jo domosdo e paska për detyrë t’i unifikojë Presidenti, ajo shumë lehtë, në rast se nuk zgjidhet, del në një pozicion tjetër politik dhe i ç’unifikon hala më shumë. Me një fjalë, iu tha pak-pak, por më mirë nga posti i Presidentes, nganjëherë iu unifikoj :P

Një pikë tjetër, është momenti kur Osmani bishtënon akuzën e famshme për Qeverinë Kurti rreth bixhozit me aleancat tona, duke e reduktuar atë në vetëm ‘dërgimin e një letre në Këshillin e Evropës’ – çka nuk tingëllon e vërtetë sepse nuk kanë kaluar shumë vite nga këto zhvillime dhe atë kohë, Presidentja e kishte fjalën saktësisht për aleancën me Amerikën. Para asaj fjalie në fjalimin e atij fundviti, Osmani kishte një seri paraqitjesh ku fliste saktësisht dhe vetëm për aleancën me Amerikën.

Një pikë tjetër, është kur autori i intervistës, luan të intersuarin e sfidimit të Presidentes në çështjen e ‘gjuhës polarizuese’ është shembulli i të shprehurës së Presidentes me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu.

Osmani nuk e pranon assesi se shprehja famkeqe alegorike ‘aaa njeri...’ – në traditën tonë semantike e stilistike, nuk vazhdohet kurrqysh ndryshe, pos “aaa njeri që e paska thënë”.

Dhe për fund, një intervistë ose një bisedë, s’bën të kryhet kurrqysh pa u përmendur Hashim Thaçi. Ri-intensfikimi i modës së ditëve të fundit për ta fajësuar këtë figurë politike e historike, për lloj-lloj pezmi që mund ta kemi, merr përmasë qesharake kur UÇK-ja mbrohet nga Hashim Thaçi, i cili qe pesë vjet mban burg për UÇK-në në Hagë.

Lajme të ngjashme